Ndiqni A2 live në TV ose YouTube për detajet e fundit…
Ora 22:45 - Nxirret nga rrënojat një tjetër trup i pajetë në Durrës. Emergjencat Civile konfirmojnë se bëhet fjalë për shtetasen Griselda Lala, 22 vjeçe. Bilanci i tërmetit bëhet edhe më tragjik, duke shkuar në 31 persona të konfirmuar të vdekur.
Ora 22:30 - Operacionet e kërkim shpëtimit do të vijojnë edhe gjatë natës për nxjerrjen nga rrënojat të personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në dy ndërtesa të shembura në Durrës, si edhe në Thumanë.
Ora 10:20 - Basha në Durrës: Jeta e çdo qytetari, përparësi kryesore
Mbrëmja e së mërkurës gjeti edhe kreun demokrat Lulzim Basha në Durrës, pranë banorëve të prekur nga tërmetet e fuqishëm që kanë goditur vendin në dy ditët e fundit. Basha u shpreh se jeta e çdo qytetari është përparësi kryesore. “Si një familje e madhe, në solidaritet me njëri-tjetrin dhe me miqtë e partnerët tanë, do ta kalojmë këtë situatë tragjike”, tha Basha.
Ora 22:17 - Ndihmat për të dëmtuarit, Xhaçka: Të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka doli në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së mërkurës ku falënderoi të gjithë qytetarët dhe vendet partnere që janë solidarizuar në këtë moment të vështira për vendin, duke kontribuar me ndihma në para dhe ushqime për personat e prekur nga kjo fatkeqësi. Por që këto kontribute të shkojnë atje ku është me e nevojshme, sipas ministres Xhaçka, duhet të kanalizohen përmes Shtabeve të Emergjencës, ngritur pranë prefekturave dhe Emergjencave Civile.
Ora 20:24 - Meta nga Durrësi: Situata mbetet e vështirë
Edhe mbrëmjen e së mërkurës, Presidenti Meta ishte në Durrës, ku vëzhgoi nga afër situatën pas tërmeteve të fortë. Meta u shpreh se situata mbetet dramatike derisa ka pasur sërish lëkundje pasditen e së mërkurës.
“Sigurisht është një situatë dramatike e cila vazhdon dhe ka vështirësitë e saj, sepse ende kemi ndjerë që ka lëkundje, siç pati dhe sot në mesditë, të cilat cenojnë edhe punën edhe sigurinë, të forcave të shpëtim-kërkimit në rrënojat e godinave, të cilat janë rrëzuar dhe ku po kërkohen qytetarët tanë, me shpresën për t’i shpëtuar ata”.
Ora 19:35 - Dëmet në burgun e Shënkollit, të dënuarit transferohen në Reç
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur transferimin e rreth 150 të dënuarve nga burgu i Shënkollit në Lezhë në atë të Reçit në Malësinë e Madhe. Shkak për këtë vendim është bërë dëmtimi i godinës nr.2 në burgun e Shënkollit për shkak të lëkundjeve të forta sizmike që ndodhën në orët e para të mëngjesit të së martës. Transferimi i të dënuarve të Lezhës drejt IEVP-së së Reçit po zhvillohet me masa të forta sigurie dhe po shoqërohet nga një numër i madh efektivësh.
19:00 - Emergjencat Civile kanë konfirmuar nxjerrjen e dy trupave të tjerë të pajetë nga rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës. Mësohet se personat e pajetë janë nën e bir Dolora dhe Klaus Reçi. Bilanci bëhet edhe më tragjik duke shkuar në 30 të vdekur.
Ora 17:30 - Alarmi i inxhinieres: Godinat me probleme strukturore, mungon kodi i ndërtimit
Inxhinierja Luljeta Bozo ngre alarmin mbi sigurinë e objekteve në Shqipëri dhe mungesën e kuadrit ligjor për të kontrolluar dhe disiplinuar ndërtimet në vend. Bozo pohon se objektet që u shembën në Durrës dhe Thumanë kanë pasur probleme të theksuara strukturore dhe janë ndërtuar në zona që nuk lejohet të ndërtohet.
Ora 17:30 - Konfirmohet një tjetër person i vdekur në Thumanë. Emergjencat Civile konfirmojnë se bëhet fjalë për shtetasin Kastriot Cakoni, i nxjerrë i pajeta nga rrënojat. Zyrtarisht bilanci i viktimave shkon në 28 të vdekur.
Ora 17:20 - Zjarrfikësi i Vlorës: Shpëtuam dy jetë nën rrënoja, na kërkonin ajër
Luan Kapajt, shefit të zjarrfikësve të Vlorës, pas orësh të tëra në luftë me kohën për të shpëtuar jetë njerëzish. Pavarësisht lodhjes dhe situatës së vështirë, Kapaj së bashku me vartësit e tij arritën të shpëtonin dy jetë njerëzish në pallatin 6-katësh në Durrës.
Ora 17:08 - Tërmeti i fundit shemb pjesërisht kompleksin 11-katësh në Durrës
Një kompleks pallatesh 11-katësh në Durrës ka pësuar dëmtime të mëdha nga goditjet e fundit të tërmetit. Dëmtimet më të shumta, ai i ka marrë nga tërmeti i pasdites së të mërkurës, i cili ishte me magnitudë 5.3 i shkallës rihter. Ky kompleks pallatesh ka 185 hyrje dhe aty jetonin 150 banorë. Nga tërmeti i fundit janë shkëputur pjesa më e madhe e mureve anësore, janë shembur shkallët, ndërsa pallati është anuar. Fatmirësisht, në tërmetin e së mërkurës nuk kishte banorë që ndodheshin në ndërtesë. “Ka pasur banorë që herë pas here janë ngjitur në momente të ndryshme, por në momentin e tërmetit nuk kishte në pallat. Ne nuk futemi më aty as për të marrë rrobat”, shprehet një prej banorëve.
Ora 15: 45 - Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë sërish rreth orës 15:45 minuta.
Sipas Qendrës Europiane të Sizmologjisë, tërmeti ishte me magnitudë 5.3 i shkallës rihter dhe është ndjerë në disa qytete të vendit.
Ora 15:10 - “Kosova është Shqipëri”, vazhdon mbledhja e ndihmave në Prishtinë për të prekurit nga fatkeqësia
Në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, vazhdoi nga qytetaret edhe sot mbledhja e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Veshmbathje, batanije, lodra por edhe ndihma financiare do të nisen në mbrëmje nga Kosova drejt Shqipërisë. Zyrtarisht, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj deklaroi se Shqipërisë do t’i jepet një ndihmë prej 500 mijë eurosh për dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
Ora 14:59 - 7 pallateve në Laç u vendoset shirit si të pabanueshëm
Tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të së martës, nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme vetëm në Durrës dhe në Thumanë, atje ku fatkeqësisht ka pasur me dhjetëra viktima. Po ashtu, raportohet se edhe në Laç, shumë ndërtesa kanë pësuar dëmtime serioze. Një blloku prej 7 pallatesh në Laç u është vendosur shiriti si të pabanueshëm. Ka rënie suvaje, por më kryesorja disa kanë pasur dëmtime edhe strukturës.
Ora 14:23 - Meta: Ka konfuzion në organizim, u premtova banorëve plotësimin e kërkesave
Presidenti Ilir Meta ishte pranë banorëve të zonës së ish-Kënetës të prekur nga tërmeti i fuqishëm. Meta theksoi se dëgjoi ankesa për shqetësime elementare, ndërsa tha se i premtoi banorëve plotësimin e tyre brenda dy apo tre orësh. Presidenti u shpreh se vendi nuk ka kaluar një tragjedi të tillë prej kohësh dhe për këtë, sipas tij, ka pasur konfuzion në organizimin.
Ora 14:20 - Tërmeti dhe fëmijët, psikologët në kampin e Thumanës
Tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë la pas humbjen, dhimbjen, rrënojat dhe frikën, të gjitha këto reflektohen në kampin e familjarëve të prekur nga lëkundjet shkatërruese.
Ora 14:00 - Në pallatin 6-katësh në Durrës, atje ku dyshohet se 2 persona janë ende nën rrënoja
Ende dy persona dyshohet se ndodhen nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, dy katet e para të cilit janë rrafshuar. Deri pak pas mesditës së të mërkurës, grupet e shpëtimit nuk kishin marrë asnjë veprim pasi kanë studiuar godinën për të arritur në mënyrën se si do të ndërhyjë. Gazetari A2, Anxhelo Haruni, raporton se operacioni i kërkim shpëtimit drejtohet nga ekipi francez, ndërsa izraelitët janë duke punuar me sonda. Po ashtu, në operacion po përdoren edhe qentë. Nën rrënojat e këtij pallati dyshohet se gjenden edhe dy persona. Gazetari i A2 raporton se një nga personat e bllokuar dyshohet të jetë një anëtare e familjes Gjana, bashkëshorti i të cilës është nxjerrë nga ndërtesa e shembur më herët dhe fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ora 13:40 - Pas zjarrfikësve, Italia dërgon në Shqipëri edhe një ekip mjekësh me pajisje të specializuara
Pas ekipit me 160 zjarrfikës, Italia ka dërguar në Shqipëri edhe një ekip mjekësh për t’u ardhur në ndihmë personave të lënduar nga tërmeti i së martës. Ekipi i mjekëve ka mbërritur pak pas mesditës në Rinas bashkë me pajiset mjekësorë të specializuara për raste emergjencash.
Ora 13:30 - Konfirmohet viktima e 27, u gjet pa jetë në Thumanë.
Ora 13:14 - Flet i mbijetuari nga tërmeti: Zjarrfikësi hero, kur pashë projektorët sikur më erdhi sërish jeta
Pas 24 orë kërkimesh intensive nga forca të operacionit të kërkim-shpëtimit, Fatmir Gjana, është nxjerrë mëngjesin e sotëm shëndosh e mirë nga rrënojat e pallatit 5-katësh të shembur në lagjen 6 të Durrësit. Ai tregon për A2, momentet e tmerrit të përjetuar, aty ku shpresat për t’ia dalë me sukses, ishin të pakta.
Ora 13:13 - Qytetarët e Korçës si edhe Universiteti i Korçës kanë nisur nismën për mbledhjen e ndihmave
Ora 13:09 - Basha: Nuk kemi institucione të përgatitura për këto ngjarje
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi pa nga afër situatën në Thumanë, deklaroi për mediat se institucionet tona nuk janë të përgatitura për ngjarje të tilla si tërmeti i fortë që goditi vendin ditën e djeshme.
Ora 12:50 - Sizmologu: Një tërmet i kësaj madhësie, një herë në 100 vjet. U regjistruan 520 pasgoditje
Sizmologu Rrapo Ormeni deklaroi për A2 se tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë dhe që ka shkaktuar deri tani 26 viktima të konfirmuara, ndodh një herë çdo 100 vjet.
Gjithashtu, ai theksoi se deri tani “janë regjistruar mbi 520 goditje, që, përveç tërmetit të orës 7 të ditës së djeshme, kanë qenë me magnitudë më të vogël se 5 e shkallës Rihter”.
Ora 12:13 - Zjarrfikësi italian: Ka ende shpresë, në Akuila kemi shpëtuar njerëz pas 72 orësh nën rrënoja
Njëri prej zjarrfikësve italianë të përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Durrës, ka deklaruar për A2 se po punohet me objektivin për të shpëtuar ende njerëz në banesën e familjes Lala, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga tërmeti i rëndë që goditi vendin.
Ora 11:45 - Vijojnë kërkimet në Thumanë, në rrënojat e pallatit 5-katësh. Dyshohet se përveç 6 personave, nën rrënoja është edhe një vogëlush që ishte strehuar në katin e parë të pallatit.
Ora 11:08 - Në pallatin e shembur 5-katësh në Thumanë mendohet se nën rrënoja janë edhe 6 persona.
Gjovalin Loka, përfaqësues i rendit dhe sigurisë në vend, i tha televizionit A2 se mendohet se të paktën 6 persona të tjerë ndodhen nën rrënoja dhe po kërkohet për ta.
Ora 10:59 - Kryeministri Edi Rama viziton kampin e ngritur në aneksin e stadiumit "Niko Dovana", në Durrës.
Ora 10:45 - Manastirliu nga Spitali i Traumës: 8 persona në gjendje të rëndë
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës dha detaje mbi personat që po trajtohen në spital.
“Janë 8 persona në gjendje të rëndë që po trajtohen në terapi intensive. Po vlerësojmë edhe mundësinë që të marrin trajtim më të specializuar në Itali. Kemi dy raste për të cilat po presim vlerësimin dhe përgjigjen nga partnerët italianë”, deklaroi ministrja.
“Dua të garantoj që puna që është bërë nga mjekët në Tiranë dhe Durrës është një punë e jashtëzakonshme profesionale, por duam që të mos mungojë asgjë dhe nëse është e nevojshme, të sigurojmë trajtim edhe më të specializuar se në Shqipëri”, tha Manastirliu.
Ora 10:29 - Rritet numri i personave që kërkojnë strehim në kampin e ngritur në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.
Ora 10:06 - Nxirren dy trupa të tjerë të pajetë në Thumanë.
Bëhet fjalë për çiftin e bashkëshortëve Greku.


Ora 10:00 - Në rrënojat në zonën e ish-Kënetës po kërkohen 4 fëmijë dhe 2 të rritur
Ora 09:30 - Sizmologu: Jemi zonë aktive sizmike, kujdes me ndërtimet
Tërmeti i djeshëm, që ka prodhuar shkatërrim dhe vdekje në Durrës dhe Thumanë, ka shokuar opinionin publik, që ende po harronte trembjen e lëkundjeve të 21 shtatorit. Por për sizmologun Rexhep Koçi, kjo periudhë nuk përfaqëson diçka që duhet të surprizojë opinion publik shqiptar, që tashmë duhet të jetë i vetëdijshëm për situatën gjeologjike të vendit dhe të marrë masa.
Ora 09:02 - Kurbin, 18 pallate të dëmtuara nga tërmeti. Evakuohen banorët
Ora 08:50 - Basha anulon vizitën në Athinë
Kryetari i PD, Lulzim Basha, anuloi vizitën në Athinë, ku kishte planifikuar të festonte bashkë me shqiptarët në Greqi, Ditën e Flamurit. Më pas, ai ishte i ftuar të merrte pjesë në Kongresin e Nea Demokracisë.
Lajmin e anulimit të vizitës së zotit Basha e njoftoi kreu i degës së PD në Athinë, Fatmir Gjoçi.
Ora 08:20 - Babë e bir nxirren pa jetë nga rrënojat në Thumanë
Dy persona të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat në Thumanë mëngjesin e së mërkurës.
Keli Çupi, 32-vjeçar, dhe babai i tij, Hajredin Çupi, 67-vjeçar, e çojnë në 26 numrin e viktimave.
Sipas burimeve të A2, 32-vjeçari u gjet me shenja jete, por ka pasur hemorragji në gjymtyrët e poshtme dhe nuk është nxjerrë dot i gjallë.
Dyshohet se nën këto rrënoja mund të ketë edhe 4-7 persona të tjerë.
Ora 07:55 - Shpallet gjendja e jashtëzakonshme
Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit shkatërrues që ka marrë deri më tani 26 jetë njerëzish.
Ora 07:43 - Nxirret një tjetër trup i pajetë nga forcat greke të shpëtimit në Thumanë.
Në Thumanë aktualisht po punojnë grupe shpëtimi nga Kosova dhe Greqia. Tani sapo u bashkua edhe një skuadër kërkim-shpëtimi nga Serbia.

Ora 07:26 - Ka nisur mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë.

Ora 07:23 - 6 anëtarë të familjes Lala janë ende nën rrënoja në ish-Kënetë. Zjarrfikësit italianë kanë punuar gjatë gjithë natës për nxjerrjen e tyre.

Ora 07:10 - Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës 31-vjeçari Sajmir Gregu, banues në Thumanë.
Lajmin e dhanë familjarët e tij.
Ai doli i gjallë nga rrënojat pas nënës dhe vajzës së tij, të cilat nuk i mbijetuan dot tërmetit.
Ora 07:00 - Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar punën gjatë natës në Durrës, ku u shpëtua Klajdi Qato, ndërsa në Thumanë kërkimet rinisën mëngjesin e së mërkurës, pas ndërprerjeve disa orëshe për shkak të vështirësive të natës.
Sipas informacioneve paraprake, 24 persona kanë humbur jetën, 650 janë lënduar dhe 45 janë shpëtuar.
Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar rreth 700 banorë.
Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore.
Një tërmet i fuqishëm më magnitudë 6,3 goditi Shqipërinë rreth orës 3:54 të mëngjesit të së martës, ndërsa një tjetër me magintudë 5,5 tronditi vendin pak pas orës 07:00. Tërmeti e kishte epiqendrën në Durrës.
Durrësi është pa dyshim vendi më i goditur, por edhe njësia administrative Thumanë pranë Fushë-Krujës, ku edhe është shënuar edhe numri më i madh i viktimave.
Sot është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. (A2 Televizion)























