PS mbledh nesër asamblenë, zbardhet axhenda, kush janë emrat që po qarkullojnë për Tiranën

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 12:28 | Politikë

PS mbledh nesër asamblenë, zbardhet axhenda, kush janë emrat

Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare, në një takim që pritet të ketë në fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit. Mbledhja do të zhvillohet në orën 10:30, në një nga hotelet në Gjirin e Lalzit.

Gazetarja Fjorela Beleshi bëri të ditur në një raportim për “Puls” në A2CNN se një nga çështjet në axhendë do të jetë platforma për këshilltarët bashkiakë dhe shpërndarja e mandateve.

Vëmendje pritet të marrë edhe kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në mbledhje. Asambleja nuk ka bërë një kërkesë zyrtare për praninë e tij, ndërsa Veliaj ka paraqitur një kërkesë të njëanshme nga burgu, ku kërkon edhe ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me akuzat ndaj tij.

Një tjetër pikë me interes është mundësia që Edi Rama të bëjë publikë emra të mundshëm për kandidatët e PS-së në zgjedhjet vendore, veçanërisht për Bashkinë e Tiranës.

Sipas gazetares, në Partinë Socialiste po qarkullojnë disa emra. Ai i Ogerta Manastirliut tanimë duket se është larg garës, ndërsa një emër i përmendur është Arbër Hajdari, i cili është bërë publik edhe nga vetë ai dhe shihet si një kandidaturë që vjen përtej strukturave partiake, nga shoqëria civile.

Në diskutimet për kandidatin e mundshëm për Tiranën përmendet gjithashtu edhe Ervin Demo, aktualisht ministër i Brendshëm.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos