
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar përdoruesit për rrezikun e mashtrimeve online, në kushtet kur disa shërbime të Microsoft, përfshirë Outlook, Teams dhe Azure, po përballen me probleme në akses dhe funksionim.
Sipas informacionit të raportuar nga Microsoft, ndërprerjet janë shkaktuar nga ngarkesa e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk lidhen me ndonjë incident kibernetik.
Megjithatë, AKSK ngre shqetësimin se situata mund të shfrytëzohet nga persona keqdashës për të mashtruar përdoruesit, duke u ofruar ndihmë të rreme për rikthimin e aksesit në llogaritë e tyre.
Autoriteti paralajmëron veçanërisht për email-et që kërkojnë rivendosjen e fjalëkalimit të Microsoft, mesazhet SMS që pretendojnë se llogaria është bllokuar, si dhe telefonatat nga persona që prezantohen si punonjës të mbështetjes teknike.
Për të shmangur rrezikun e vjedhjes së të dhënave personale, AKSK këshillon përdoruesit të mos klikojnë në lidhje të dyshimta për hyrje në llogari apo ndryshim fjalëkalimi, por të përdorin vetëm faqet dhe aplikacionet zyrtare të Microsoft.
Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të mos ndajnë me persona të tjerë fjalëkalimet, kodet e verifikimit apo të dhëna të tjera konfidenciale dhe të mos lejojnë akses në pajisjet e tyre nga persona të paidentifikuar. (A2 Televizion)