Kushtet atmosferike të 24 orëve të fundit, të cilat kanë përfshirë vendin tonë, kryesisht me erëra të forta dhe reshje shiu, kanë shkaktuar disa problematika sa i takon furnizimit me energji elektrike.
Në juglindje të vendit, për shkak të erërave të forta, kanë mbetur pa energji elektrike të paktën 6 fshatra të Bashkisë së Korçës, ku janë dëmtuar linjat e transmetimit të energjisë.
E njëjta situatë, por me një numër më të madh fshatrash, është regjistruar edhe në veri të vendit. Të paktën 20 fshatra në bashkitë e Kukësit, Tropojës dhe Hasit kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e dëmtimit të linjave të amortizuara të transmetimit.
Ndërkohë, grupet e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike ndodhen në terren për të mundësuar rikthimin e furnizimit, ndërsa situata meteorologjike pritet të përmirësohet.
(A2 Televizion)