Gushti ka qenë muaji më i mirë për turizmin në vend përgjatë gjithë vitit. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se këtë muaj numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri kapërceu 1.5 milionë, me rritje 6.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Operatorët e tregut të turizmit shpjegojnë se Shqipëria preferohet kryesisht nga turistët me origjinë nga vendet e rajonit, për shkak të çmimeve të ulëta.

“Ne duhet te jemi realist. Turistet kryesore tanë janë turistët rajonal, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, si dhe një pjesë janë turistë europianë. Por këta të fundit janë një pjese e vogël, 300-400 mijë persona, që edhe po të rriteshin me dy shifra nuk do të përfaqësonin volumin kryesor te prodhimit të përgjithshëm bruto të turizmit”, thotë eksperti i turizmit Zak Topuzi.
Ndërsa nga shifrat duket një panoramë pozitive e turizmit, për t’u theksuar është edhe fakti i daljes së një numri të madh shqiptarësh jashtë vendit, përfshi këtu për qëllime turizmi.

Sipas statistikave, në gusht kanë dalë jashtë vendit mbi 720 mijë shqiptarë, ose 5.4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo tendencë është në rritje edhe si periudhë 8 mujore, me rreth 9.8%.
Por nga ana tjetër, janë të shumtë ata që kanë kaluar pushimet në Shqipëri dhe shkak janë sërish kostot.
Sipas të dhënave të Institutit Europian të Statistikave, rreth 28.3% e familjeve evropiane nuk kanë mundësi për të kaluar një javë pushim vjetore jashtë vendit të tyre. Për shkak të të ardhurave të pakta, në Shqipëri kjo përqindje kapërcen në mbi 75%.
Kostot e turizmit, përllogaritjet, një turist i huaj shpenzon 52 euro/ditë
Po sa i kushton një turisti të huaj të pushojë një ditë në Shqipëri? Sipas Institutit të Statistikave, shpenzimet mesatare ditore vlerësohen në 52 euro për person, teksa kohë qëndrimi mesatar është 4.3 ditë. Të huajt preferojnë kryesisht hotelet dhe të udhëtojnë me makinat e tyre private.

Por nëse do të bëjmë një zbërthim të shpenzimeve ditore, rezulton se pjesa më e madhe shkon për akomodimin, me një mesatare prej 30 euro në ditë. Këtu përfshihen jo vetëm hotelet, por edhe shtëpitë që jepen në mënyrë informale dhe që kanë çmime më të ulëta se njësitë e akomodimit të regjistruara.

Shpenzimet për ushqim dhe pije përllogariten në rreth 15 euro në ditë për person, ndërsa transporti kushton mesatarisht 7 euro për person. (A2 Televizion)