
Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, u shpreh në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve për Pandeminë se në Shqipëri nuk ka vaksina që kanë skaduar.
Ajo theksoi se ka pasur një rritje të vaksinimit me dozat e dyta.
“Ka pasur një rritje të vaksinimit në lidhje me dozat e dyta dhe ka pasur dhe një përmirësim të vaksinimit në bashki të ndryshme. Durrësi ka dalë nga zona e kuqe. Bashkitë që kanë mbulesën më të mirë vaksinale është ajo e Gjirokastrës, Delvinës ndërsa në veri janë Mirëdita dhe Puka. Është përmirësuar mbulesa vaksinale dhe në Tropojë dhe Kukës. Arsimtarët e shkollave të mesme kanë një mbulesë më të mirë vaksinale se edukatorët dhe pedagogët e universiteteve. Nuk ka vaksina që kanë skaduar në vendin tonë dhe të mos jetë përdorur. Ne nuk kemi humbje të vaksinës. Kemi mbulesë të lartë te punonjësit shëndetësor, por kemi ende nevojë për rritje të vaksinimit tek të gjitha grupmoshat”, tha Bino. (A2 Televizion)