Bisedime konstruktive në Turqi, Ukraina: Neutralitet në këmbim të garancive të sigurisë

Nga A2 CNN
29 Mars 2022, 15:54 | Bota
Bisedime konstruktive në Turqi, Ukraina: Neutralitet në këmbim

Nisi me pak pritshmëri për rezultate të rëndësishme, por takimi i parë mes delegacioneve të Moskës dhe Kievit në Stamboll të Turqisë, u mbyll me nota pozitive.

Negociatorët ukrainas thanë në fund të takimit me dyer të mbyllura se ishte shënuar përparim i mjaftueshëm për një takim mes presidentëve Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin. Sipas tyre, negociatat do të vazhdojnë, por do të përfshijnë edhe 8 vende të tjera garante, mes të cilave edhe Turqia. Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë në linjë me artikullin e 5 të Natos, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.

Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm. Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rast të një armëpushimi të plotë.

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm. Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarako-politike”, tha negociatori ukrainas.

Edhe kryenegociatorit rus, Vladimir Medinski, i cituar nga mediat në Moskë, foli për bisedime konstruktive me Kievin në Stamboll. Ai tha se pala ukrainase kishte paraqitur propozime me shkrim që konfirmojnë vullnetin e vendit për statusin neutral dhe pa armë bërthamore. Siç tha, propozimet do t’i përcillen presidentit Putin, para se t’i kthehet një përgjigje Kievit.

https://a2news.com/2022/03/29/rusia-ul-ndjeshem-aktivitetin-e-saj-prane-kievit/

Në një sinjal të përafrimit të qëndrimeve mes palëve, zëvendësministri i Mbrojtës në Rusi, Alexander Fomin, pjesëmarrës në bisedimet e Stambollit njoftoi se Rusia do të reduktojë në mënyra radikale aktivitetin ushtarak rreth Kievit dhe Chernihiv. 

Sipas Fomin, vendimi ishte marrë për të rritur besimin reciprok dhe për të ndihmuar më tej negociatat dhe arritjen e qëllimit përfundimtar, që është nënshkrimi  i marrëveshjes mes dy palëve. Sakaq Pentagoni thotë se ka prova që avancimi i rusëve në Kiev është ndalur.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/03/29/deklaroi-se-ishte-helmuar-gjate-negociatave-abramovic-i-pranishem-ne-bisedimet-e-stambollit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos