Bisedimet për paqen në Turqi, Zelensky: Gati të diskutojmë statusin neutral, por jo sovranitetin

Nga A2 CNN
28 Mars 2022, 12:44 | Bota
Bisedimet për paqen në Turqi, Zelensky: Gati të diskutojmë

"Ukraina është e gatshme të pranojë statusin neutral të vendit, një prej kërkesave kyçe të Moskës për t’i dhënë fund luftës". Këtë e tha presidenti Volodymyr Zelensky, i cili shtoi se një ujdi e mundshme lidhur më çështjen, do të duhej të kishte garancinë e palëve të treta dhe të merrte dritën jeshile të popullit përmes një referendumi.  Por në intervistën e dhënë për gazetarët rusë, Zelensky e bëri të qartë se prioriteti i tij janë sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, të cilat siç tha janë të panegociueshme.

“Garanci të sigurisë dhe neutralitet, statusi jobërthamor i vendit tonë. Jemi gati të pranojmë diçka të tillë. Kjo ishte pika më e rëndësishme e Federatës Ruse, në argumentimin e nisjes së kësaj lufte. Turqia është ofruar të jetë mes vendeve që do t’i ofrojë garanci sigurie Kievit, si pjesë e marrëveshjes së mundshme me Rusinë.

Kievi ka kërkuar garanci ligjërisht të detyrueshme që do t’i ofronin mbrojtje Ukrainës në të ardhmen, në rastin e një sulmi të ri.

Sakaq, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, kërkoi armëpushim dhe kushte më të mira humanitare për civilët. Me ndërmjetësim të Ankarasë, delegacionet e Kievit dhe të Moskës do t’i zhvillojnë negociatat në Stamboll, më 29 dhe 30 mars, pas disa ditësh bisedime online. Takimet do të mbahen në qytetin e Stambollit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos