
Dëmtimet e mëdha të shkaktuara në ndeshjet e fundit në stadiumin e ri kombëtar kanë bërë që Policia e Tiranës të forcojë masat për derbin e kësaj të premteje, Tirana-Partizani.
Nëpërmjet komunikatës së zakonshme për shtyp, forcat e rendit konfirmuan masat e shtuara, ku një prej elementëve kryesorë është rikthimi i kartave të identitetit, si mënyra e vetme që tifozët të hyjnë në stadium. Përpos kontrolleve të përforcuara për armë të ftohta apo sende të forta, policia saktësoi se pavarësisht zotërimit të biletës, tifozët nuk do të lejohet të hyjnë në stadium pa dokumentin identifikues.
Hyrja në stadium do t’i ndalohet edhe të miturve nën moshën 16 vjeç, të cilët janë të pashoqëruar. Një tjetër masë e marrë nga policia, pas shkatërrimit të tribunave mbrapa portave të stadiumit, është se tifozët nuk do të lejohen të hyjnë apo të qëndrojnë në stadium me fytyrën e mbuluar.
Ky kusht vlen mbi të gjitha për sektorët ultras, ku të gjithë ata që do të konstatohen se kanë mbuluar fytyrën, do të nxirren nga stadiumi. Vendimi ka ardhur mbi të gjithë për të mundësuar identifikimin e tifozëve që shkatërrojnë impiantin e ri.
Për afro 160 stola të dëmtuar në ndeshjen Kukësi-Tirana, ku 145 ishin në sektorin e tifozëve "bardheblu", policia arrestoi vetëm 4 tifozë dhe procedoi penalisht 16 të tjerë. (A2 Televizion)