Blindohet Uashingtoni, Donald Trump del sot në gjykatë, do të deklarohet i pafajshëm

Nga A2 CNN
3 Gusht 2023, 10:58 | Bota
Blindohet Uashingtoni, Donald Trump del sot në gjykatë, do të

Kryeqyteti amerikan është kthyer në një fortesë sigurie në prag të daljes në gjykatë të ish-presidentit amerikan, Donlad Trump. Barriera prej metali janë vendosur jashtë gjykatës federale ku do të lexohen akuzat e reja, lidhur me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Mes 4 akuzave përfshihen ato për komplot për të mashtruar SHBA-në, dhe pengim i procedurës zyrtare.

Barriera janë ngritur edhe përreth godinave të Kapitolit, ku në janar të 2021-shit u mbajtën protestat e dhunshme të mbështetësve të Trump. Shërbimet Sekrete që sigurojnë mbrojtjen për pretendentët dhe ish-presidentët, lëshuan një deklaratë ku paralajmëronin publikun për probleme të përkohshme në qarkullim, në qendër të Uashingtonit.

Të mërkurën, ai që rezultoi të ishte alarm i rremë për të shtëna aktive në Kapitol, çoi në izolimin e tre godinave të kongresit dhe nxiti një operacion të madh policor.  

“Në 2 e 30 të pasdites morëm një telefonatë që lajmëroi të shtëna aktive në godinën Hart me anë të Kapitolit. Reaguam brenda pak sekondave, por nuk zbuluam asgjë shqetësuese”, tha shefi i Policisë së Kapitolit, Thomas Manger.

77-vjeçari Trump pritet të dalë para Gjykatës Federale në Uashington, në 16:00 me orën lokale ku do të deklarohet i pafajshëm. Edhe pse i është dhënë edhe mundësia të shfaqet me video-lidhje, duket se ish-presidenti ka zgjedhur të marrë pjesë fizikisht.

Një radhë e gjatë e mbështetësve të tij, është krijuar që prej mbrëmjes së të mërkurës, jashtë godinës. Në prag të dorëzimit, Trump tha se nuk kishte pasur kurrë kaq shumë përkrahje sa tani, ndërsa i cilësoi akuzat kundër tij si provë të “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të presidencës Biden. Trump përballet me akuza kriminale edhe në dy çështje të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos