
Producentja e lajmeve ndërkombëtare në A2, Rosalba Bejdo, zhvilloi një intervistë me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Zvelça, i cili foli për një situatë të qetë në kufirin me Serbinë dhe nuk ka pritshmëri për tensionim apo përshkallëzim të situatës.
Megjithatë, ministri i Brendshëm i Kosovës thekson se protestat janë të organizuara nga strukturat serbe. Zvelça këmbëngul se vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm dhe cilido që e vë në diskutim këtë do të vinte në dyshim sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës.
“Ne nuk presim një përshkallëzim. Duket se nuk ka një energji të theksuar nga strukturat paralele për të përshkallëzuar situatën. Ne jemi të vendosur që ligjshmëria të zbatohet në këtë çështje, duke zbatuar ligjin t’iu shërbejmë edhe qytetarëve atje. Çfarë bën Serbia që prej çlirimit të Kosovës është që lufton shtetësinë e Kosovës. Çdo vendim i saj nuk është befasi për ne. Jemi të vendosur që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Jemi të gatshëm për marrëdhënie fqinjësore me të gjithë ata fqinjë të cilët janë konstruktivë në raportet e ndërsjella”, u shpreh ministri i Brendshëm i Kosovës.
Intervistën e plotë të ministrit të Brendshëm të Kosovës do ta ndiqni në edicionet në vijim në A2 CNN. (A2 Televizion)