
Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur këtë të martë negociatat zyrtare për rishikimin e Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), në mes të tensioneve tregtare dhe kërcënimeve për tarifa nga administrata e Donald Trump.
Bisedimet po zhvillohen në Mexico City dhe përfaqësojnë raundin e parë zyrtar të negociatave për përgatitjen e rishikimit të përbashkët të marrëveshjes, ku përfshihet edhe Kanadaja.
Ministria e Ekonomisë e Meksikës bëri me dije se marrëveshja USMCA, e cila rishikohet çdo gjashtë vjet, mbetet jetike për ekonominë meksikane, duke qenë se SHBA-ja është partneri kryesor tregtar i vendit dhe destinacioni i mbi 80% të eksporteve meksikane.
Sipas autoriteteve, raundi i parë i negociatave do të zgjasë deri të premten, ndërsa takime të tjera janë planifikuar për muajt qershor dhe korrik në Uashington dhe Mexico City.
“Palët përcaktuan hapat e ardhshëm për të thelluar diskutimet, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete në dobi të rajonit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë së Meksikës.
Ndërkohë, autoritetet meksikane theksuan se të dy vendet riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në Amerikën e Veriut. (A2 Televizion)