Inflacioni 2.0 ose filozofia Kurtiane e bakshishit elektoral

Nga A2 CNN
22 Maj 2026, 11:08 | Blog

Inflacioni 2.0 ose filozofia Kurtiane e bakshishit elektoral

Nga Adri Nurellari

Kryeministri në detyrë Kurti, siç e ka kthyer tashmë në ritual parazgjedhor, pak ditë para votimeve e hap thesin e buxhetit sikur ta kishte trashëguar nga fisi dhe jo nga taksapaguesit. Kësaj radhe e ka paketuar si masë kundër inflacionit Ka diçka pothuajse poetike te emri “Inflacioni 2.0”. Tingëllon si update aplikacioni, si version i ri softueri, si ndonjë revolucion teknologjik që premton optimizim performance, thjeshtësi dhe eksperiencë më të mirë për përdoruesin. Në realitet, është thjesht versioni i përditësuar e kamufluer i një filozofie shumë të vjetër e primitive ballkanike. Thënë ndryshe, kur ekonomia nuk funksionon, kur çmimet rriten, kur qytetari varfërohet dhe kur frustrimi social afrohet rrezikshëm pranë kutive të votimit, shteti nxjerr ca para nga buxheti dhe ua shpërndan njerëzve si bakshish politik, si një paracetamol. Thënë ndryshe si një qetësues elektoral që mpin dhimbjen sociale derisa të mbyllen kutitë e votimit.

Mirëpo duhet pranuar se Kurti ka një sinqeritet të jashtëzakonshëm gati brutal për t’i bërë gjërat haptazi pa skrupull apo takt. Sepse kjo pako nuk është thjesht masë ekonomike por është auto-denoncim ideologjik. Është momenti kur politika heq maskën dhe pranon publikisht se nuk beson më as vetë te narrativa e zhvillimit. Nëse pas 7 vitesh retorikë pushtet, “transformim”, patriotizëm ekonomik, sovranitet, revolucion social dhe gjithë retorikës epike për “shtetin e drejtë”, zgjidhja finale për inflacionin mbetet 100 euro për person, atëherë problemi nuk është vetëm ekonomik. Problemi është filozofik.

Sepse një qeveri serioze perëndimore, kur përballet me krizë ekonomike, flet për produktivitet, investime, klimë biznesi, konkurrencë, reforma strukturore, lehtësim fiskal, rritje të prodhimit vendor, eksporte, energji, teknologji, industri dhe modernizim administrativ. Kurse këtu kemi diçka shumë më primitive, “na para të thata në dorë, e trus mos u anko”. Në njëfarë mënyre, kjo është forma më e pastër  dhe e drejtpërdrejtë e mentalitetit të ryshfetit elektoral. Vetëm se në vend të zarfit të fshehtë, tashmë kemi transfertë bankare patriotike.

Kjo ma kujtoi një prezantim të tij ndërkombëtar ku fliste me tone profesorale prej filozofi se qeverisja e tij frymëzohej nga drejtësia normative e Kantit, nga utilitarizmi (të cilin madje e keq-citonte dhe ia atribuonte Mill-it, ndonëse themeluesi i vërtetë është Jeremy Bentham) si dhe nga etika aristoteliane e virtytit. Por kuptohet që filozofia përmendet vetëm si dekor intelektual jashtë shtetit për të maskuar një politikë krejt banale kur qeveris në Kosovë. Flet për Kantin, Mill-in dhe Aristotelin, ndërsa në praktikë filozofia e vetme që duket se zbatohet është: “sa kushton vota?”.

Pas gjithë zhargonit akademik dhe emrave të filozofëve fshihet i njëjti batakçillëk lindor transaksional. Pra jo moral kantian, por pragmatizëm kurtian në formën e mentalitetit të pazarit; jo virtyt aristotelian, por klientelizëm provincial lindor; jo utilitarizëm për shumicën, por kalkulim elektoral për veten dhe oborrin personal të kurtizaneve politike.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujton se kjo paketë po prezantohet si politikë “kundër inflacionit”. Sikur inflacioni të ishte ndonjë krijesë mitologjike që trembet nga 100 euroshi. Sikur çmimet në markete, faturat e energjisë, qiratë, nafta apo produktet bazike të thonë papritur: “Na falni shumë, qeveria shpërndau një pako, asaj nuk kemi ccfarë t’i bëjmë po tërhiqemi me bisht në shalë.”

Në fakt, vetë nevoja për këtë pako është prova që inflacioni nuk është zgjidhur. Përkundrazi. Është pranim indirekt se qytetarët nuk po e përballojnë dot jetën normale. Pra qeveria po pranon se fuqia blerëse është goditur aq shumë, sa duhet një injeksion emergjent cash-i për të shmangur revoltën sociale dhe për të prodhuar pak oksigjen emocional para zgjedhjeve. Por problemi më i madh nuk janë as ato 100 eurot; sepse fundja kjo parti në pushtet ka keq-menaxhuar  tashmë miliarda euro pa lënë asnjë shenjë në cilësinë e shërbimeve publike dhe pa ndërtuar asnjë vepër infrastrukturore, kulturore apo sportive.

Problemi është mënyra se si kryepushtetari e sheh qytetarin.Në filozofinë normale demokratike, qytetari shihet si individ me dinjitet, me të drejta dhe me aspirata afatgjata. Shteti ekziston për t’i krijuar kushte që ai të ndërtojë jetën e vet me punë, meritë dhe perspektivë. Në filozofinë klienteliste ballkanike Kurtiane, qytetari shihet si konsumator politik afatshkurtër. Një qenie që mund të qetësohet përkohësisht me subvencione, favore dhe pagesa simbolike. Pra nuk shikohet si qytetar por reduktohet në klient; nuk ofrohet zhvillim por thjesht “qetësim” si dhe nuk synohet ekonomi funksionale por thjesht menaxhim emocional i varfërisë.

Në këtë sens, “Inflacioni 2.0” është pothuajse manifest politik. Një qeveri që në vend të reformave afatgjata zgjedh shpërndarjen e cash-it para zgjedhjeve, në fakt po thotë diçka shumë të qartë: “Ne nuk kemi ndërtuar mekanizma që krijojnë mirëqenie të qëndrueshme, prandaj po blejmë pak kohë me para publike.”

Dhe këtu hyn cinizmi i madh i historisë ballkanike. Sepse paratë që shpërndahen nuk janë para private të filozofit Kurt të ngelur në tentativë. Janë para të vetë qytetarëve. Pra fillimisht shteti merr nga ekonomia përmes taksave, TVSH-së, akcizave, doganave (të cilat janë shtuar automatikisht prej rritjes së ccmimeve) nga një ekonomi joproduktive e varur nga remitancat, dhe pastaj ua rikthen qytetarëve një pjesë të vogël si “ndihmë” dhe pret falënderim publik në kutinë e votimit në 7 qershor. . Është pothuajse si hajduti që ta vjedh portofolin dhe pastaj, para kamerave, të kthen 20 euro nga të tuat duke të thënë: “Mos thuaj që nuk të ndihmova.”

Gjithashtu, e rëndësishme për t'u analizuar është edhe aspekti kohor; kjo masë nuk vjen si përgjigje e menjëhershme në kulmin e krizës dhe as si pjesë e një reforme të strukturuar brenda një strategjie ekonomike shumëvjeçare, e projektuar për të rritur kërkesën agregate, për të stimuluar konsumin dhe për të nxitur rritjen ekonomike. Por pikërisht në atmosferë parazgjedhore. “Rastësi” sigurisht. Sepse në Ballkan rastësisht subvencionet rriten para zgjedhjeve, rastësisht tenderët shtohen para zgjedhjeve, rastësisht patriotizmi ndizet para zgjedhjeve dhe rastësisht kujdesi për qytetarin zgjohet disa javë para votimit.

Në një shtet normal evropian, qytetari pyet: “Çfarë ekonomie po ndërtoni?” Në pjesën më primitive të Ballkanit pyetja është reduktuar në: “Sa po jepni?”. Dhe kjo është tragjedia më e madhe kulturore e gjithë këtij modeli, sepse nuk është vetëm korrupsion financiar por është korrupsion moral dhe psikologjik. Është edukimi gradual i shoqërisë që politika nuk ekziston për të ndërtuar institucione, por për të shpërndarë favore e bakshishe. Nuk ekziston për të krijuar mundësi, por për të dhënë lëmoshë periodikisht në mënyrë selektive në këmbim të votës. Për pasojë qytetari nuk sillet më si qytetar që kërkon llogari por si klient që pret radhën për pagesë.

Kjo është arsyeja pse vende të tëra si Kosova e Shqipëria ngecin për dekada në tranzicion permanent. Sepse politika nuk matet me autostrada industriale, universitete serioze, eksporte teknologjike apo reforma të administrates por me pakot sezonale të mbijetesës.

Ndërkaq të rinjtë ikin dhe kjo është pjesa më e dhimbshme dhe cinike e gjithë skemës. Ndërsa shteti shpërndan nga 100 euro për të prodhuar disa ditë entuziazëm mediatik, mijëra të rinj vazhdojnë të mendojnë si të largohen nga vendi. Sepse ata e kuptojnë në kurrizin e tyre se një ekonomi serioze nuk matet me sa para shpërndan qeveria, por me sa mundësi për prosperitet krijon pa pasur nevojë për lidhje me qeverinë. Në vendet normale, ambicia e njeriut është të mos ketë nevojë për shtetin ndërsa në Ballkan, politika bën çmos që qytetari të mos jetojë dot pa shtetin. Kjo sepse varësia etatiste prodhon kontroll dhe natyrshëm kontrolli prodhon pushtet. Sepse qytetari ekonomikisht i pavarur është i rrezikshëm për populizmin. Ai nuk blihet lehtë, nuk frikësohet lehtë dhe nuk mashtrohet me subvencione sezonale.

Prandaj pakot sociale parazgjedhore janë kaq të rëndësishme për sistemin autokrat. Nuk janë vetëm çështje ekonomike apo transaksion por edhe një ritual pushteti. Janë mënyra sesi politika rikujton raportin hierarkik: “Ju keni atëhere kur neve ju japim”. Dhe këtu qëndron edhe paradoksi final. Një parti që erdhi në pushtet duke premtuar dinjitet kombëtar, sovranitet dhe emancipim politik, po përfundon duke përdorur instrumentin më banal të kulturës së vjetër ballkanike; shpërndarjen e cash-it para zgjedhjeve.

Në fund, pas gjithë Kantit, Millit/ Benthamit, Aristotelit, patriotizmit ekonomik dhe retorikës revolucionare, mbetet vetëm filozofia e vjetër ballkanike e bakshishit electoral. Ngelet një pushtet që nuk di të ndërtojë mirëqenie, prandaj mundohet të blejë durim; një shtet që nuk prodhon perspektivë, prandaj shpërndan lëmoshë; dhe një kryeministër që flet si filozof gjerman në konferenca ndërkombëtare, por qeveris si tregtar provincial votash në pazarin e fundit oriental të Europës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos