Zhdukja progresive e bletëve dhe dëmi që njeriu po i shkakton ekosistemit nuk janë thjesht alarm i shkencëtarëve, por edhe një thirrje e fortë për reflektim shpirtëror. Në një bisedë mjaft të veçantë në emisionin "Dita Jonë", imami Leonard Çela dhe prifti katolik Dom Kreshnik Ivani kanë zbërthyer rëndësinë e jashtëzakonshme që ky insekt ka në librat e shenjtë, Kuran dhe Bibël, si dhe kuptimin e vërtetë të "fundit të botës" nga dora e vetë njeriut.
Imami Leonard Çela solli në vëmendje se në Kuran ekziston një kapitull i veçantë i titulluar "Surja En-Nahl" (Bleta). Ai shpjegoi se Zoti e ka inspiruar bletën të ndërtojë shtëpitë e saj pranë njerëzve, duke e bërë atë një krijesë miqësore dhe të nënshtruar.
"Shembulli i një besimtari të mirë është si shembulli i bletës: ajo shkon vetëm në vende të pastra, ushqehet pastër dhe nuk dëmton asgjë aty ku shkel", u shpreh imami Çela, duke vënë në dukje se njeriu duhet të marrë leksione disipline nga ky insekt.
“Në shkencën e biologjisë, në momentin që prishet një ekosistem, gjithçka shkon në zinxhir. Bleta ka një rol shumë të veçantë se pa të nuk do të kishim pjalmim, e për rrjedhojë as fruta dhe perime. Në këtë këndvështrim, nuk kemi argumente të qarta fetare që po iku bleta do të ndodhi kiameti, por mund të themi që njeriu e sjell kiametin me duart e tij, sepse po i bën dëm diçkaje që i bën vetëm dobi”, shtoi ai.
Dom Kreshnik Ivani tregoi se në Bibël, bleta dhe produkti i saj, mjalti, janë simbole të bekimit dhe bollëkut, duke kujtuar premtimin e Zotit për një tokë ku "rrjedh qumësht dhe mjaltë". Ai ndau edhe një detaj interesant historik nga mesjeta, ku organizimi perfekt i kosheres nën drejtimin e një mbretëreshe (dhe jo një mbreti) shkaktonte debate të mëdha teologjike për kohën.
Sa i përket frikës nëse zhdukja e bletëve paralajmëron fundin e botës, të dy të ftuarit ranë dakord se njeriu po e shkatërron vetë habitatet e tij përmes babëzisë dhe përdorimit të pakontrolluar të pesticideve.
Ndonëse nuk ka argumente të prera fetare që thonë se zhdukja e bletës sjell apokalipsin e menjëhershëm, imami Çela theksoi se prishja e këtij zinxhiri ushqimor dhe mjedisor është një lloj "kiameti" që njeriu po ia shkakton vetvetes.
Dom Kreshnik Ivani shtoi se në traditën shqiptare (sidomos në veri) për bletën nuk përdoret fjala "ngordhi", por "vdiq", çka tregon nderimin e madh ndaj saj. Ai bëri thirrje për më shumë ndërgjegjësim, duke kujtuar se bletët mund të jetojnë mjaft mirë pa njerëzit, por njerëzimi nuk mbijeton dot pa to.
“Nëse bletët fillojnë të zvogëlohen, ky është një sinjal që ekosistemi po shkatërrohet. Njeriu e ka për detyrë nga Bibla që të kujdeset për krijimin, jo vetëm ta shfrytëzojë. Çdo gjallesë ka vlerë në vetvete; bletët mund të jetojnë shumë mirë edhe pa ne, por ne pa ato nuk mund të jetojmë dot. Prandaj, pakësimi i tyre është një alarm i madh për jetën njerëzore”, tha ai. (A2 Televizion)