“U tremba për vdekje!”, Ish-Zonja e Parë e SHBA: Mendova se Joe Biden pësoi goditje në tru gjatë debatit me Trump

Nga A2 CNN
28 Maj 2026, 08:11 | Bota

“U tremba për vdekje!”, Ish-Zonja e Parë e SHBA: Mendova

Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden, është shprehur se ka menduar që bashkëshorti i saj, ish-Presidenti Joe Biden, po pësonte një goditje në tru gjatë debatit presidencial të vitit 2024, i cili u komentua gjerësisht për performancën e tij të dobët, shkruan A2CNN. 

Isha e frikësuar, sepse nuk e kisha parë kurrë Joe-n ashtu më parë dhe as më pas. Kurrë,” tha Jill Biden për CBS News.

Nuk e di çfarë ndodhi,” u shpreh ajo. “Teksa e shikoja, mendova: ‘O Zot, ai po pëson një goditje në tru’. Dhe kjo më trembi për vdekje.

Presidenti Biden u përball me presion të madh nga demokratët që të tërhiqej si kandidat i tyre pas performancës së dobët në debatin përballë kandidatit republikan të asaj kohe, Donald Trump. Biden më pas u tërhoq nga gara dhe mbështeti zëvendëspresidenten e atëhershme, Kamala Harris.

Jill Biden ka qëndruar në krah të bashkëshortit të saj gjatë gjithë karrierës së tij shumëvjeçare, nga koha kur ishte senator i Delaware-it deri në vitet si president.

Ajo konsiderohej si një nga këshilltaret më me ndikim gjatë presidencës së tij dhe ndër ata që në fund e inkurajuan të tërhiqej nga gara presidenciale e vitit 2024.

Pas debatit të qershorit 2024, disa muaj para zgjedhjeve presidenciale, demokratët shprehën shqetësim për performancën e lëkundur të presidentit në debat.

Fushata e Biden në atë kohë këmbëngulte se presidenti nuk do të tërhiqej si kandidat i demokratëve dhe se ai do të debatonte sërish me Donald Trump.

Gjatë debatit, ku të dy kandidatët synonin një mandat të dytë, Biden dhe Trump u përplasën për çështje madhore si emigracioni, ekonomia dhe të drejtat për abortin.

Biden kishte një zë të ngjirur, për të cilin ekipi i tij tha se ishte për shkak të një sëmundjeje, si dhe pati një moment kur dukej se humbi fillin e mendimit.

Në një aktivitet pas debatit në Atlanta, Jill Biden e prezantoi bashkëshortin e saj në skenë dhe vlerësoi performancën e tij përballë Trump.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos