
Ushtria amerikane ka kryer sulme të reja ndaj Iranit, duke goditur një objekt ushtarak në Bandar Abbas, një qytet-portual strategjik, shkruan A2CNN.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se forcat e saj rrëzuan gjithashtu katër dronë iranianë vetëshkatërrues “që përbënin kërcënim rreth Ngushticës së Hormuzit”.
Sipas Centcom, objekti në Bandar Abbas u godit ndërsa po bëhej gati të lëshonte një dron të pestë. Mediat iraniane raportuan se shpërthime u dëgjuan në lindje të qytetit.
Sulmet vijnë mes një armëpushimi të brishtë mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe negociatave të zgjatura për t’i dhënë fund luftës tremujore që ka bllokuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit dhe ka rritur ndjeshëm çmimet globale të energjisë.
Kjo është hera e dytë brenda tre ditësh që SHBA sulmon objektiva në Iran, duke deklaruar se sulmet janë kryer në vetëmbrojtje. Rifillimi i armiqësive kërcënon armëpushimin.
Centcom i përshkroi veprimet e saj si “të matura, thjesht mbrojtëse dhe të destinuara për të ruajtur armëpushimin”.
Më herët gjatë kësaj jave, Centcom konfirmoi një valë të mëparshme sulmesh “në vetëmbrojtje” në jug të Iranit të hënën, ku u goditën baza raketore iraniane dhe mjete lundruese që po përpiqeshin të vendosnin mina në Ngushticë, ku mijëra anije tregtare cisternë kanë mbetur të bllokuara si pasojë e konfliktit.
Centcom tha se ato sulme kishin për qëllim “të mbronin trupat tona nga kërcënimet e paraqitura nga forcat iraniane”.
(A2 Televizion)