Pas më shumë se katër vitesh lufte të përgjakshme, Ukraina beson se po afrohet një moment vendimtar në përballjen me Rusinë. Në një bunker të fshehtë në rajonin e Kharkivit, një nga komandantët më të njohur ukrainas paralajmëron se lufta mund të ndryshojë drejtim shumë shpejt.
“Besoj se gjashtë deri në nëntë muajt e ardhshëm janë një pikë kthese. Më saktë, gjashtë muajt e ardhshëm janë më kritikët”, thotë Gjenerali Andriy Biletsky, komandant i Korpusit të Tretë të Ushtrisë Ukrainase.
Në një intervistë për Reuters, Biletsky paraqet një tablo krejt ndryshe nga ajo e muajve të kaluar. Sipas tij, ofensiva ruse po humbet forcën, ndërsa Ukraina po arrin të stabilizojë frontin dhe në disa zona edhe të rikthejë territore.
“Pozicionet aktuale në të gjithë vijën e frontit janë më të mirat për Ukrainën që nga vjeshta e vitit 2022. Ka më pak humbje njerëzore, pothuajse zero humbje territoresh dhe madje rikthim të disa sektorëve”, thotë ai, përcjell A2 CNN.
Sipas komandantit ukrainas, Rusia ndodhet në një bllokim strategjik. “Ka trende që tregojnë se Rusia është në një ngërç. Ajo nuk mund ta përfundojë plotësisht luftën, por në të njëjtën kohë, nuk mund të përparojë përgjatë vijës së frontit”.
Në këtë luftë moderne, beteja nuk zhvillohet vetëm me tanke dhe artileri. Ai pranon se lufta është kthyer edhe në një garë teknologjike mes Ukrainës dhe Rusisë. Sipas tij, ukrainasit kanë avantazh në përdorimin e mjeteve tokësore pa pilot dhe dronëve të rëndë bombardues, ndërsa Rusia ka epërsi në dronët me fibër optike, të cilët nuk mund të bllokohen elektronikisht. Megjithatë, një nga dobësitë më të mëdha të Moskës, sipas tij, mbetet komunikimi ushtarak.
“Rusët kanë probleme të mëdha me komunikimin. Ata kanë sisteme të shkëlqyera navigimi, si 'Kometa', të cilat i instalojnë në Shahedët ose KAB e kështu me radhë, por kanë probleme të mëdha me komunikimin. Ata nuk janë në gjendje t'i zgjidhin ato në një farë mënyre. Starlink, për shembull, mund të zëvendësohet plotësisht vetëm nga Starlink. Nuk ka alternativë në botë. Edhe Kina aktualisht nuk ka një konstelacion të tillë satelitësh në orbitën e ulët të Tokës që mund të zëvendësojnë Starlink”, thotë ai.
Në të njëjtën kohë, Ukraina po intensifikon sulmet me dronë në thellësi të territorit rus, duke goditur bazat ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe infrastrukturën energjetike. Këto goditje, sipas Biletskyt, mund ta përkeqësojnë edhe më shumë pozitën e Rusisë në muajt e ardhshëm. Komentet e tij vijnë në një moment kur diskutimet për negociata të mundshme paqeje po rikthehen në skenën ndërkombëtare.
Por Biletsky hedh poshtë pretendimet ruse për kontroll të plotë mbi Donbasin. “Pretendimi për Donbasin, për të ndaluar jo përgjatë vijës së kontaktit, por për të kërkuar braktisjen e Donbasit, duket paksa i çuditshëm. Sepse tani për tani, është në fakt një pyetje shumë e diskutueshme se kush po e kryen ofensivën, Ukraina apo Rusia. Nuk ka përparime; prej muajsh, nuk ka pasur përparime serioze”, thotë ai.
Në frontin e Ukrainës, ku dronët, inteligjenca artificiale dhe satelitët po përcaktojnë fatin e betejës, komandantët ukrainas besojnë se lufta po hyn në një fazë të re. Dhe sipas tyre, muajt që vijnë mund të përcaktojnë jo vetëm vijën e frontit, por edhe fatin e negociatave për fundin e luftës. (A2 Televizion)