As andej, as këtej

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 14:56 | Blog

As andej, as këtej

Nga Lutfi Dervishi

Ka një specie të veçantë patriotësh dhe gjallesash që lulëzojnë veçanërisht në Facebook. Si rregull, janë trima të fshehur pas fotove të flamurit në profilet e tyre.
Emëruesi i përbashkët: një shqipe që ka nevojë për përkthyes dhe përdorimi i fjalëve fyese me vrullin e një adoleshenti që i përsërit që të mos i harrojë. Janë autoritete të vetëshpallura për çdo temë. U ka mbetur ora dhe jetojnë me Shqipërinë e vitit kur u larguan. Ndoshta për ta, ora në atdhe ka ndaluar bashkë me autobusin/taksinë që i çoi në aeroport. Çfarë i bën bashkë?
1.Gjykimi: Si gjyqtarë suprem, për to çdo gjë në Shqipëri është skandal, çdo vendim është gabim, çdo politikan është kriminel, dhe çdo qytetar që s’del në rrugë për revolucion është dele e kapur.
2.Të gjithë… Kanë një fiksim të veçantë me fjalën “të gjithë.” Të gjithë janë të korruptuar, të gjithë janë të shitur, të gjithë janë të humbur, të gjithë fajtorë. Të gjithë përveç tyre, që për arsye misterioze janë përjashtuar nga ky rregull i përgjithshëm.
3.Nostalgjia. Ata jetojnë në vitin kur lanë vendin, me kujtime për “kohët e arta”. Çdo gjë që ka ndodhur pas largimit të tyre është deformim, mjerim, shkatërrim, vajtim: "ai vend nuk bëhet".
4. Heronjtë virtuale: Janë të parët që hedhin statuse për “Shqipërinë” dhe të fundit që do të bënin diçka për vendin apo qoftë për të dhënë 5 euro ndihmë për dikë në hall në gofundme. Kontributi patriotik i tyre përfundon kur bateria e telefonit bie nën 20%, ose kur nuk punon Wi-Fi i lokalit.
5.Fobia e kthimit: Gjithmonë gati për të komentuar se “po të isha atje,” por në të vërtetë këtu nuk përballojnë as ndryshimin, as trafikun, as koston e jetesës, as median, e as veten. Jetojnë si të huaj në vendin ku ndodhen dhe ndihen po aq të huaj edhe kur kthehen këtu.
6.Ekspertë për gjithçka: politika në krye, por pa përjashtuar politikën dhe lojën e madhe ndërkombëtare. Dinë gjithçka më mirë se ata që jetojnë këtu, sepse “kanë parë botë me sy.”
7. Të paintegruar: Nuk janë bërë dot pjesë e shoqërisë ku jetojnë, por nuk janë më as pjesë e shoqërisë që lanë pas. Janë të huaj atje dhe të huaj këtu, mjeshtër të mëdhenj të ankesave dhe qurravitjeve, por bëjnë pak ose aspak, asnjë përpjekje për të gjetur vendin e tyre në ambientin ku jetojnë.
8. Kur vijnë këtu, për t’u dukur të ndryshëm dhe më të ditur, u drejtohen fëmijëve të tyre në gjuhë të vendit nga vijnë, “Vieni da zia Zymbyle,” “Vai da zio Mahmut,” “Ella sto papu Kajmak.”
Siç thoshte një legjendë urbane e Brukselit:
“Kam pirë ujë Brukseli 20 vjet unë!”
E kjo, mesa duket, të jep të drejtën të japësh mend pa fund, të gjykosh çdokënd, të shash çdo punë, të kërkosh përjetësisht Shqipërinë që le pas, e të mbetesh përherë mes dy botëve: as andej, as këtej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos