Kur Petrarca pushtoi Mont Ventoux

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 21:31 | Blog

Kur Petrarca pushtoi Mont Ventoux

Më 26 prill 1336, Francesco Petrarka dhe vëllai i tij morën guximin të ndërmarrin ngjitjen në malin Mont Ventoux, të rrahur nga era. Por mësymja ndaj majës shkon ndryshe nga ç’ishte menduar. A do t’ia dalë poeti ta mposhtë malin?

Në mbrëmjen e 24 prillit 1336, Francesco Petrarca, vëllai i tij Gherardo dhe dy shërbyes mbërrijnë në kampin bazë në Malaucène. Nuk kanë nevojë për aklimatizim, megjithatë i japin vetes një ditë pushimi. Për t’u ngjitur drejt majës marrin guximin më 26 prill. «Një ditë e gjatë, ajër përkëdhelës», kujton Petrarca, «vetëm vështirësia e terrenit na sfidonte».

Krahasuar me majat e Alpeve, Mont Ventoux mund të mos jetë një mal i lartë, por shkretia e tij dhe era rraskapitëse Mistral, që i ka dhënë këtij gjiganti të Provansës (Provence) pseudonimin «erërrahuri», e bëjnë malin një vend jomikpritës. Petrarca përjeton «një masiv shkëmbor të thiktë dhe pothuajse të paarritshëm». Dhe pikërisht ai, «dëshira e vrullshme» e të cilit e vuri në lëvizje grupin e alpinistëve pa litarë, has shpejt në vështirësi gjatë ngjitjes. Gherardo synon drejt e lart, ndërsa ngjitja e Francescos vijon në mënyrë gjarpëruese - tipike për një artist - derisa e pushton lartësinë «në rrugë direkte», me çmimin e rraskapitjes.

Majën e Ventouxit dhe platonë e tij të vogël këta dy vëllezër e arrijnë më në fund së bashku. «Retë rrinin te këmbët e mia», raporton Petrarca, dhe nga lartësia 1900 metra ai mund të shohë madje edhe Alpet e ngrira në akull - «shumë afër, ndonëse janë larg». Por pastaj ndodh diçka e çuditshme: Petrarca e mbyt zbuluesin brenda vetes. Ai e largon shikimin nga natyra mahnitëse dhe nxjerr nga xhepi librin e tij të Shën Agustinit, «një vepër e vogël sa grushti, e një formati tejet të vogël». Ende mbi majë, ai fillon të lexojë mbi mëkatin e këndjes së syve dhe mbi njerëzit si ai, që admirojnë «lartësitë e maleve» dhe duke bërë këtë, «braktisin veten».

I heshtur dhe si i mpirë, Petrarca zbret më pas nga Ventouxi i erërave, për të shkruar po atë natë në kampin bazë në Malaucène një letër të gjatë drejtuar profesorit të tij të teologjisë - e vetmja dëshmi e kësaj ngjitjeje që ekziston. «Malin më të lartë të kësaj krahine... e ngjita gjatë ditës së sotme», fillon ai, për të pranuar në gjysmëfjalinë tjetër se e kishte përmbushur vetëm dëshira «për të parë këtë vend jashtëzakonisht të lartë». Petrarca i dërrmuar dhe i tronditur në një tavernë në Malaucène: këtu përfundon historia.

Ose më mirë: këtu fillojnë dyshimet. Sepse intelektualët nuk duan t’i besojnë më Petrarca. Ndërsa i famshmi Jacob Burckhardt shihte te ngjitja e Petrarcas në Mont Ventoux hapin vendimtar mbi pragun e Epokës së Re dhe e interpretonte letrën e devotshme të rrëfimit drejtuar teologut si një marifet të thjeshtë, që konfirmonte për herë të fundit sa për sy e faqe botëkuptimin mesjetar, interpretuesit e mëvonshëm e kanë përmbysur situatën: Petrarca nuk ka qenë kurrë në mal, Mont Ventoux është thjesht një alegori - ashtu siç ishte, meqë ra fjala, edhe e famshmja Laura, të cilën Petrarca thjesht e shpiku. Petrarca, sipas tyre, nuk është ulur kurrë në tryezën e tavernës në Malaucène për të shkruar një letër të formuluar me aq mjeshtëri. Letra thuhet se është shumë më e re, adresati i saj kishte vdekur prej kohësh kur Petrarca nisi t’i rrëfente sulmin e supozuar ndaj majës. Dhe sa i përket kuptimit të natyrës në këtë kryevepër alegorike: Petrarca e ka parë revolucionin, por shkruan si një reaksionar.

Dhe çfarë është e vërtetë? A ishte Petrarca lart apo jo? Filozofi Hans Blumenberg ka folur për një «çast të madh, i cili i pavendosur lëkundet mes epokave». Por ne, që e duam aksionin, jemi të sigurt: Petrarca e ka parë me sytë e tij anën tjetër të Alpeve të ngrira.

(Nga libri: 111 Actionseznen der Weltliteratur. Botoi: Die andere Bibliothek).

Përktheu:
E.R. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos