Rekordi shqiptar: Një grimcë e rrallë lirie në formën e një ankete sportive

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 22:52 | Blog

Rekordi shqiptar: Një grimcë e rrallë lirie në formën e

Nga Ruben Avxhiu

Një nga fenomenet që meriton të studiohet nga periudha e komunizmit është padyshim Anketa e famshme e “Sportit Popullor”: “Sportistët më të mirë të vitit”.

Në një vend ku demokracia nuk ekzistonte, ku çdo zhvillim, edhe kur i paraqitur si “propozim nga masat”, vinte në fakt si urdhër nga lart, ku vota për Kuvendin Popullor ishte një teatër qesharak, nuk është habi që kjo anketë përndizte zemrat dhe kuriozitetin e njerëzve.

Për çfarë pyetej ndonjëherë qytetari shqiptar në kohën e regjimit? Anketa e “Sportistëve më të mirë të vitit” ishte mundësi e rrallë, në mos e vetme, për të shprehur lirisht një opinion. Gazeta “Sporti Popullor” në fund të çdo viti ftonte lexuesit e saj të dërgonin listat e tyre me 5 apo10 sportistët më të mirë të vitit. Ata që merrnin më shumë vota fitonin.

Sa numërohej vërtet me drejtësi kjo votë e sportdashësve në ato vite? Vetëm ata që kanë drejtuar në vite “Sportin Popullor” mund ta thonë. Por joshja për të marrë pjesë ishte e parezistueshme. Mbaj mend që nga fëminia ime, se “Sporti Popullor” në javët e fundit të vitit, botonte lista të ndryshme me 10 emra sportistësh, të dërguar me postë në redaksi. Kjo e nxiste shumë angazhimin e publikut. Shpresa për të parë listën tënde në gazetë ose të paktën një listë që i përngjante asaj tëndes nga emrat e zgjedhur ishte një fantazi e papërmbajtshme e kohës.

Më erdhi në mend kjo dukuri kur shkruaja librin kushtuar Prof. Dr. Ilia Maznikut, i cili përpara se të bëhej kirurg, ortoped-traumatolog, e pedagog i shquar ishte një nga sportistët e mëdhenj të brezit të tij.

Gjysëm shekulli më parë, në janar 1966, ai u shpall fitues i anketës, duke u renditur i pari në një epokë kur konkurrohej jo vetëm atletë por edhe futbollistë të shquar të brezit të Panajot Panos apo të 17 Nëntorit të madh etj.

Si arriti Mazniku nga pistat e atletikës të kapte adhurimin e sportdashësve në mbarë vendin? Arsyeja është se atë vit ai theu dy rekorde kombëtare me simbolikë të madhe, e që përshkruhen më poshtë. Ja pse ndodhi:

KUFIRI 2:00 METRA

Në një farë mënyrë, lartësia 2:00 metra në garën e kërcimit së larti ka qenë në shekullin e kaluar një kufi i fortë psikologjik që ndante veç të tjerash vendet me sport të përparuar nga vendet me sport primitiv.

Gjigandët e sportit në rang botëror, SHBA, Bashkimi Sovietik etj e kishin kapur prej kohësh këtë nivel.

Për të krijuar një ide, sportisti i famshëm sovietik, Valeri Brumel mbante rekordin botëror, me 2:28 metra. Italia fqinje për shembull e kishte kaluar kufirin e dymetërshit vetëm në vitin 1956. Në 1965, Mauro Baliato vendosi rekordin e ri kombëtar 2:10 m.

Po Shqipëria? Ne kishim rekordmen sportisin e ri Ilia Mazniku, i cili kishte shpërthyer si një fenomen që në vitin e parë të garimit profesional, kur ishte shpallur kampion kombëtar në vitin 1961. Atëhere ishte vetëm 18 vjeç.

Dy vjet më vonë, në konkurrim me shokun e fëminisë Lluka Heqimi, thyejnë të dy rekordin kombëtar të Hysni Bebeziqit (1.82). Heqimi kërcen 1.85 m, por lavdia do t’i mbetet Maznikut që shumë shpejt e korrigjon në 1.87 m.

Në 1964, do ta çojë rekordin në 1.90 e pastaj në 1.91 m. Udhëtimi i Ilia Maznikut si sportist është përshkruar gjerësisht në kapitujt e parë të librit tim “Ilia Mazniku – Njeriu i njerëzve”, i botuar në 2025.

Në vitin 1965, pas një udhëtimi në Kinë ku u stërvit bashkë me fenomenin kinez, Ni Çih Çin), Mazniku sfidon veten duke e vendosur stekën në lartësinë 2:00 metra. Merr vrull, kërcen dhe kur bie në tokë e ndjen se steka nuk e ka ndjekur nga pas. Shqipëria, të paktën në kërcim së larti, ishte bërë pjesë e vendeve të zhvilluara të botës. Vetë Mazniku hyri përgjithmonë në historinë e sportit tonë, si i pari shqiptar që kërceu në lartësinë 2 metra.

REKORDI MË I VJETËR NË SHQIPËRI

Dekada që filloi me vitin 1960 solli vëmendje e pasion të madh publik për atletikën. Një u angazhua në një masë që më parë kishte ndodhur vetëm me sportin e futbollit. Si rezultat brenda pak viteve u thyen të gjitha rekordet kombëtare. Në 1965, të gjitha rekordet e tjera ishin vetëm 1deri në 5 vjet të vjetra. I vetmi rezultat kryeneç mbetej ai i garës së 110 metra me pengesa, që mbahej që prej 17 vjetësh nga Belul Hatibi 15.7 sekonda (1948).

Në vitin 1962, me nxitjen e trajnerit të tij, sportistit të shquar Albert Koja, Ilia Mazniku kishte pranuar të provonte garimin edhe në 110 m/p. Sumë shpejt u shpall kampion kombëtar edhe në këtë disiplinë.

Ndoshta edhe sepse politika e ditës kërkonte prova se brezat po përparonin, apo edhe thjesht nga ambicja sportive, debatet për rekordin e Hatibit u bënë temë e ditës në shtypin e kohës.

Dy ishin atletët që shiheshin si kandidatë për të vendosur një kohë të re: shkodrani Sulejman Gragjevi dhe dinamoviti Ilia Mazniku. Në 10 maj 1965, në stadiumin “Dinamo” mbahet gara finale e kampionatit kombëtar.

Gazeta “Sporti Popullor” të nesërmen do ta përshkruante me hollësi duelin e fortë: “Në fillim, Gragjevi, duke përfituar edhe nga nisja e përpiktë, u vu në krye të garës. Ai u dallua për kalim shumë të mirë të pengesave dhe udhëhoqi deri në pengesën e 6-të, duke u ndjekur këmba-këmbës nga dinamoviti Mazniku.

Në pengesën e 7-të, lufta sportive u ndez e ashpër dhe të dy atletët e kaluan pengesën në mënyrë të barabartë. Pastaj, Gragjevi rrëzoi edhe një pengesë dhe e prishi deri diku ekuilibrin, ndërsa Mazniku vazhdoi garën me energji dhe me shpejtësi. Ai arriti i pari në finish, duke e përshkruar distancën për 15.5 sekonda”.

Me këtë rezultat, Ilia Mazniku theu rekordin kombëtar 17-vjeçarm duke i dhënë fund pritjes dhe debateve.

Për kuriozitet, Gragjevi e kaloi finishin me 15.8 sekonda, pra vetëm tre të dhjetat e sekondës më vonë. Një fraksion çasti ndau lavdinë nga vendi i dytë.

Mazniku më vonë do të vijonte më vonë ta përmirësonte kohën e tij duke e zbritur rekordin në 14.1 sekonda,
Në jetën e tij, ai do të thyente shumë rekorde kombëtare, përfshi edhe në një nga disiplinat e stafetës, për dy rekordet e përshkruara këtu tërhoqën spektatorë dhe lexues përtej atyre të zakonshmëve që ndiqnin atletikën. Mazniku qe vërtet sportisti i vitit në 1965 dhe publiku e shpërbleu duke e votuar më shumë se këdo tjetër në anketën e “Sportistëve më të mire”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos