Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e vlerëson veprën e fundit të Ismail Kadaresë “Kur sunduesit grinden”.
Michael Martens
I rënë në mëshirë të fatit, i përbuzur dhe i përjashtuar, Mihail Bulgakovi, në një letër drejtuar qeverisë sovjetike më 28 mars 1930, kërkoi leje për të braktisur Bashkimin Sovjetik. Ekzistenca e letrës është e dokumentuar. Për atë që thuhet se ndodhi më pas, biografja gjermane e Bulgakovit, Elsbeth Wolffheim, shkruan: “Vetë i Plotfuqishmi (Stalini) kapi telefonin dhe e pyeti Bulgakovin, i cili mbeti i habitur: ‘Ndoshta duhet t’ju lejojmë me të vërtetë të udhëtoni jashtë vendit? Si është puna, u lodhët nga ne?’” I hutuar, Bulgakovi dha një përgjigje për të cilën tha se shpesh ishte penduar: se nuk besonte që një shkrimtar rus mund të jetonte jashtë vendit. Thuhet se Stalini iu përgjigj se do të siguronte që Bulgakovi të merrte një vend pune në Teatrin e Artit të Moskës.
Kështu edhe ndodhi. Bulgakovi u bë asistent regjisori. Thuhet se biseda u zhvillua më 18 prill 1930, katër ditë pas vetëvrasjes së Vlladimir Majakovskit. Wolffheim si burim përmend studjuesen ruse të letërsisë Marieta Çudakova (e ndarë nga jeta në vitin 2021) dhe ditarët e gruas së fundit të Bulgakovit, Jelena Bulgakova. Nëse biseda ndodhi vërtet apo ky është thjesht një tregim nga tregu gjithnjë i gjallë i anekdotave për Stalinin - mbetet e pasigurt. Gjithsesi, ekziston një varg i tërë historish të tipit “Stalini-telefonon-shkrimtarin”, pothuajse një zhanër më vete.
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i ndarë nga jeta vitin e kaluar, në veprën e tij të fundit sjell një anekdotë edhe më të njohur se ajo e bisedës së Stalinit me Bulgakovin. Libri i tij i fundit, “Kur sunduesit grinden”, doli në shqip në vitin 2018 (në gjermanisht libri mban titullin “Thirrja” apo “Telefonata”, v.j.). Ky vëllim i hollë, me rreth 170 faqe, sillet vazhdimisht rreth tre minutave nga gjithsej gati 37 milionë minuta të jetës së Boris Pasternakut. Kaq thuhet se zgjati një telefonatë legjendare e Stalinit me shkrimtarin që më vonë do të fitonte çmimin Nobel.
Rrëfimtari i Kadaresë - që pa frikë mund të identifikohet me vetë autorin - e kishte dëgjuar për herë të parë këtë histori në moshën 22-vjeçare, kur ndodhej në Bashkimin Sovjetik si student në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Përvojat e asaj kohe ai i përpunoi më vonë në romanin “Muzgu i perëndive të stepës”. Në esenë “Kur sunduesit grinden” ai kthehet sërish aty. Në trembëdhjetë kapituj, që ai i quan “Versione”, Kadare shkruan për sfondin, rrjedhën e mundshme dhe sidomos pasojat e kësaj bisede të famshme midis diktatorit dhe Pasternakut, e cila thuhet se ka ndodhur më 23 qershor 1934.
“Pra, ishte qershori i vitit 1934, Osip Mandelshtami sapo ishte arrestuar. E gjithë Moska fliste për këtë ngjarje, kur më 23 të muajit ra telefoni. Thirrësi ishte Stalini, bashkëbiseduesi i tij Pasternaku”, fillon një nga këto “versione”, bërthama e të cilave mbetet gjithmonë e njëjtë: Stalini e pyet Pasternakun se çfarë mendimi kishte për Mandelshtamin e arrestuar. Ky, i zënë ngushtë, belbëzon se ata u përkisnin rrymave të ndryshme letrare, pra nuk kishte gjë për të thënë. Thuhet se Stalini u zemërua nga mungesa e solidaritetit të Pasternakut me kolegun e tij dhe e përqeshi për frikën, pastaj e mbylli telefonin.
Ngjashmëritë autobiografike në libër janë të dukshme. Janë më shumë sinjale të hapura sesa aluzione. Sepse, kur Kadare shkruan për Stalinin e Bulgakovin, në të vërtetë shkruan edhe për veten dhe Enver Hoxhën, diktatorin e Shqipërisë nga 1945 deri në 1985. Pasternaku mori çmimin Nobel në vitin 1958, por nuk u lejua ta pranonte. Kadare, edhe kur diktatura e Hoxhës dukej e pathyeshme, për vite me radhë u konsiderua si kandidat serioz për çmim dhe me siguri do ta kishte pranuar, por nuk e mori kurrë. Ky çmim është një nyje lidhëse mes të dyve. “Të ishe kandidat për Nobelin do të thoshte të mbaje vulën e një faqeje të rrezikshme”, shkruan rrëfimtari i Kadaresë.
Kadare vuajti nën diktaturën shqiptare, por përfitoi edhe prej saj, duke e kthyer atë në lëndë për një vepër të madhe. Në këtë libër lamtumirës ai e rikthen edhe një herë temën e tij të përhershme - marrëdhënien midis poetit dhe tiranit - një temë e pashtershme. Dikur Lion Feuchtwanger shkruante ode për Stalinin, sot (publicisti djathtist zviceran) Roger Köppel lavdëron Putinin - çdo vrasës masiv e ka pasur rapsodin e vet, qoftë edhe një mediokër. Ndryshe nga propaganduesit shtegtarë nga Perëndimi, Kadare nuk e kishte njohur pushtetin e dhunshëm vetëm nga distanca e sigurt.
Ndoshta ishte pikërisht kjo njohje e pavullnetshme e së keqes që e shtyu të shkruante fjali të sakta si ajo për shkrimtarin në diktaturë që punon në një roman politikisht të rrezikshëm: “Ishte sikur mbaja në kafaz një zog të bukur, por mjaft të rrezikshëm”. Ekzistenca e lektorëve në diktaturë përshkruhet po ashtu si e rrezikshme: “Nëse një libër botohej dhe ndalohej më pas, të pyesnin: ‘Si lektor si të ka shpëtuar ky helm që ka përzier autori?’” Por nëse lektorët vërenin diçka që vetëm atyre u binte në sy, kjo mund të ishte po aq e rrezikshme: “‘Pse kërkove nga autori të hiqte çdo aluzion për xhelozinë e verbër dhe prirjet homoseksuale të sulltanit? Fol! Doje ndoshta që tirani turk të paraqitej në dritë të favorshme? Pra, çfarë ke për të thënë?’”
Me këtë ese rrëfimtar, të cilit botuesi gjerman i përkthimit i ka shtuar disi të paqartë nëntitullin “Hetime”, Kadare është larguar nga kjo botë me dinjitet. Për këtë meritë ka edhe Joachim Röhm, përkthyesi i tij i shkëlqyer në gjermanisht. Röhm, në vitet ’70, në një hutim rinor-komunist, u shpërngul nga Gjermania Perëndimore në Shqipërinë komuniste për disa vite dhe mësoi gjuhën. Që ai zotëron shqipen, kjo merret si e mirëqenë. Që di të sillet me gjermanishten, e dëshmojnë përkthimet e tij. Meritat e Röhmit për Kadarenë përfshijnë edhe librat që ai nuk i ka përkthyer. Shumë vepra të Kadaresë nuk ekzistojnë në gjermanisht, dhe, sipas zërave, shpesh ka qenë pikërisht Röhm që e ka mbrojtur shkrimtarin më të njohur shqiptar nga vetja e tij, duke mos përkthyer veprat më të dobëta.
“Pranvera shqiptare”, një shkresë e Kadaresë që në rastin më të mirë mund të quhet justifikim i ngathët për rolin e tij gjatë diktaturës së Hoxhës, është një shembull i tillë librash të dështuara. Libri mund të gjendet në gjermanisht, por si përkthim nga frëngjishtja. Röhmi e ka kursyer publikun gjerman me mençuri nga ky libër, i cili i ka sjellë shumë dëm Kadaresë dhe ndoshta madje i ka kushtuar edhe çmimin Nobel. Në vend të tij, ai ka përkthyer në një gjermanisht të përkryer vepra të mëdha si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Sjellësi i fatkeqësisë” apo “Pasardhësi”. Nëse nuk gabohemi, këto libra do të vazhdojnë të lexohen gjatë, ndoshta deri në kohët kur emri i Enver Hoxhës nuk do të thotë më asgjë. Atëherë do të ishte përmbushur edhe pretendimi që shprehet në titullin origjinal, plot vetëbesim, të librit të fundit të Kadaresë. (A2 Televizion)