FOTOT: "Qendër e botës", ky është vendi përrallor ku Niçe u frymëzua për kryeveprat e tij në filozofi

Nga A2 CNN
1 Shtator 2025, 07:43 | Blog

Nga Enver Robelli

Spektakli fillon me rrezet e para të diellit: ato davaritin mjegullën dhe premtojnë një ditë të bukur. Dy linja treni, dy linja autobusi, rreth 4 orë udhëtim dhe, në 2284 metra, shfaqet Ospizio La Veduta, një restorant me kuzhinë pandërprerë të ngrohtë. Kështu thotë reklama.

Këtu fillon shtegu, i cili sot do të përfundojë në Silsersee, aty ku filozofi gjerman Friedrich Nietzsche ka kaluar javë e muaj të paharrueshëm, në shekullin e 19-të. Pas një ngjitjeje të lehtë, në 2391 metra lartësi shtrihet si margaritar liqeni alpin Leg Grevasalvas. Një vend ku përjetohet magjia e qetësisë. Dhe qetësia e magjisë.

Pas liqenit vjen ngjitja e dytë nëpër një mjedis të larmishëm. Vendi ideal për të pushuar pak është Fourcla Grevasalvas (2688 metra mbi nivelin e detit) - dhe për të shijuar pamjen e mrekullueshme drejt Engadinit dhe Bergellit.

Ngjitja tashmë ka marrë fund dhe tani rruga të shpie në drejtim të fshatit Grevasalvas. Ky fshat u bë i njohur falë xhirimeve të serialit Heidi, romani më i njohur zviceran në botë, aq i njohur, sa mund ta gjesh dhe ta blesh edhe në pazarin e veturave në Gjilan, botim i Rilindjes, fundi i viteve 1950, përkthimi në gegnisht.

Ecja vazhdon deri në Sils im Engadin, një fshat i bukur dhe me nam, të cilin, mes tjerash, ia ka sjellë filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, i cili i kaloi këtu stinët verore nga viti 1881 deri më 1888. Këtu, në Oberengadin, Nietzsche zbuloi peizazhin e tij të pëlqyer. Këtu është vendlindja e “Zarathustrës” së tij. Që atëherë, fshati i qetë malor Sils konsiderohet si një destinacion për kërkuesit e kuptimit dhe si një shifër për fuqinë frymëzuese të një vendi.

Marcel Proust përshkroi se si derdhi lot mallëngjimi në liqenin e Silsit, ndërsa Thomas Mann kështu e ndjeu gjendjen e vet shpirtërore buzë liqenit: “Më duket se jam pothuajse i lumtur këtu”. Edhe Hermann Hesse, Albert Einstein apo Luchino Visconti, ashtu si shumë të tjerë, kërkuan në këtë “botë drite të pastër e depërtuese” qetësinë dhe njohjen.

Sils Maria ishte për Nietzschen vend për të medituar, burim frymëzimi, qendër e botës. Këtu gjeti shprehje filozofia e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos