Vallëzimi i “dragoit, ariut dhe elefantit”, Xi Jinping, Putin, Modi shpallin rendin e ri botëror

Nga Xhevahir Qardaku
1 Shtator 2025, 10:28 | Bota

Dragoi, ariu dhe elefanti u bënë bashkë në një vallëzim politik për rendin e ri botëror. Presidenti i Kinës, Xi Jinpin, mblodhi në Shanghai liderët e Rusisë, Indisë, Iranit dhe disa vendeve të tjera në samitin e sigurisë, duke premtuar miliona dollarë ndihmë.

Me synimin e qartë për të sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin në tërësi, lideri i shtetit komunist shpalosi planet për krijimin e një tregu tepër të madh, duke gdhendur kështu ambiciet për një rend të ri global, jo vetëm në aspektin e sigurisë por edhe të ekonomisë.

“Ne propozojmë një koncept të qeverisjes globale të bazuar në konsultim, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta, duke praktikuar rend botëror të vërtetë, duke thelluar bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, dhe duke marrë pjesë në mënyrë konstruktive në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, duke qëndruar gjithmonë në anën e drejtësisë dhe ndershmërisë ndërkombëtare”, tha presidenti kinez.

Presidenti kinez njoftoi ndërtimin e 100 projekteve të reja për përmirësimin e jetës së vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait, me një asistencë fillestare prej 280 milionë dollarësh në grante, dhe një shtesë prej 1.5 miliardë dollarësh në 3 vitet e ardhshme. Lideri rus, Vladimir Putin, shfrytëzoi rastin për të akuzuar perëndimin si fajtor për luftën në Ukrainë, ndërsa përmendi krijimin e rendit të ri.

“Organizata e Bashkëpunimit të Shanghait po ndihmon në ndërtimin e premisave politike dhe socio-ekonomike për krijimin në Euroazi të një sistemi të ri stabiliteti, sigurie dhe zhvillimi paqësor. Një sistem që mund të zëvendësojë modelet e vjetruara europiane dhe euroatlantike dhe që do të merrte parasysh interesat e një numri maksimal vendesh dhe do të ishte vërtet i ekuilibruar. Domethënë një sistem në të cilin një grup vendesh nuk do të garantonte sigurinë e tij në kurriz të të tjerëve”, u shpreh lideri rus.

Kryeministri indian, Narendra Modi, nënvizoi se Organizata për Bashkëpunim e Shanghait mund të jetë një yll polar drejtues për rendin e ri botëror gjithëpërfshirës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos