
Nga Dr. Fadil Maloku
Nëse i adresohemi prononcimit të rrallë të ish-Kryekuvendarit Glauk Konjufcës në mediet sociale, e sidomos në ato të thumbuara nga ana e ish-qeverisë Kurti II, mund ta “lexojmë”, por edhe ta interpretojmë sociologjikisht, shumë më tepër si një akt të paramenduar dhe të kalkuluar mjeshtërisht të komunikimit politik, sesa si ndonjë devijim spontan social. E themi këtë nga shkaku se prononcimi i tij në T7, para Leonard Kërçkut, një gazetari me përvojë të gjatë në komunikimin publik, kuptimin e vërtetë e fiton vetëm nëse analizohet në kontekstin e krizës së besimit, polarizimit maksimal dhe lodhjes së elektoratit kosovar nga gjuha denigruese dhe e egërsuar që u “instalua” qëllimshëm në aulën e Parlamentit të dalë sivjet, por edhe të dështuar për herë të parë në historikun e parlamentarizmit. Nga ky këndvështrim, duke u bazuar në analizën e përmbajtjes, një metodë mjaft e avancuar në teoritë e sociologjisë së njohjes, mund të na “prodhohen” shumë interpretime. Mirëpo, ne po ndalemi në disa sosh. Interpretimi si strategji e “normalizimit diskursiv” nënkupton dhe zbulon esencën e porosisë së ish-Kryekuvendarit të Parlamentit të Kosovës.
E para ka të bëjë me interesimin e VV-së për të ulur “temperaturën” e lartë të retorikës së instaluar konfliktuale nga të gjithë akterët e “shizofrenisë politike” që pasoi pas ngërçit të stërzgjatur, i cili e trazoi, por edhe e torturoi publikisht, gjithë skenën politike dhe sidomos atë të komunikimit medial.
E dyta ka të bëjë me synimin dhe ambicien e krijimit të imazhit të një aktori politik racional, por edhe institucional e stabilizues, në pikën më kritike që e ka pasur ndonjëherë Kosova që nga shpallja e pavarësisë. Pra, transformimi i Glaukut nga pozicioni i një “ujku” konfrontues në një pozicion “dhelpëror”, të matur e racional, në fakt na dëshmon edhe një aftësi adaptimi të VV-së për t’iu përshtatur rrethanave aktuale lokale, por edhe një paralajmërim për përshtatje me ato rajonale dhe sidomos globale në horizont. Kur është fjala për këto rrethana të fundit, mendoj se janë të gabuara kalkulime të tilla edhe për shkakun se VV-ja karizmën e vet e ndërtoi dhe afirmoi gjatë gjithë ngritjes politike, pikërisht përmes refuzimit të “gjithçkafit” që e kishte ndërtuar kasta politike e pasluftës.
E treta, që mendoj se është më e rëndësishmja: VV-ja, duke e kuptuar sfidën e presionit ndërkombëtar, në veçanti atë që ka të bëjë me stagnimin institucional dhe ndëshkimin e pakoordinuar nga Brukseli, ka kuptuar se tani është koha e ndryshimit të diskursit të veprimit nga ai “mobilizues” në atë “qetësues”. Glauku, si një figurë publike që nuk ushqehet nga konflikti dhe logjika militantiste e turmës, por “nga lartësia institucionale”, me strategjinë dhe taktikën e përdorur në intervistën te Leos, i dëshmoi gjithë publikut, pra gjithë potencialit elektoral, një mekanizëm të njohur klasik të vetëmbrojtjes simbolike, të cilin e ushtrojnë zakonisht ish-qeveritarët në ikje. Mekanizëm ky që shërben jo aq për ta bindur rivalin ideologjik dhe politik, sesa për ta siguruar elektoratin e luhatshëm, i cili zakonisht ka dilema të thella pak para se të vendosë përfundimisht se cilin subjekt dhe cilët kandidatë për deputet duhet t’i rrumbullakosë më 28 dhjetor 2025. (A2 Televizion)