“Pastrim parash”, 7 deputetë të PD i kërkojnë llogari Bankës së Shqipërisë për licencimin e Jet Bank

Nga A2 CNN
28 Maj 2026, 14:53 | Politikë

“Pastrim parash”, 7 deputetë të PD i kërkojnë

Belind Këlliçi njoftoi se deputetët e Partisë Demokratike të Komisionit Parlamentar të Ekonomi-Financës dhe atij të Nismave Qytetare dhe Mbikëqyrjes Institucionale, të shqetësuar për mungesën e transparencës si dhe fakte të tjera dëmtuese, që janë të raportuara mediatikisht, në lidhje me licencimin e të parës bankë digjitale në vend “Jet Bank”, kanë firmosur një kërkesë të përbashkët për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar përgjigje shteruese, në përputhje të plotë me ligjin dhe me detyrimin për të bërë transparencë për një sektor kaq të rëndësishëm.

“Licencimi i një banke digjitale është një praktikë mjaft e re, shpesh herë problematike edhe për Bashkimin Evropian. Siguria kibernetike, reputacioni i aksionarëve dhe menaxherëve, problematika e pastrimit të parave si dhe siguria e kreditorëve, janë çështje shumë shqetësuese dhe aktuale edhe në BE. Në Shqipëri, këto probleme janë shumë herë më të nxehta dhe shumë herë më problematike. Sepse në Shqipëri, siguria kibernetike thuajse nuk ekziston, pastrimi i parave ndodh sheshit dhe faktet tregojnë që të paktën njëri prej individëve të përfshirë në këtë aferë, ka reputacion të dëmtuar rëndë dhe thellësisht komprometues”, tha ai.

“Sigurojmë opinionin publik se kjo kërkesë transparence është vetëm hapi i parë në përmbushje të detyrës tonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Hapa të tjerë ligjorë do të pasojnë, sepse zbatimi i ligjit dhe siguria financiare e shqiptarëve, është prioritet absolut për ne! Ju faleminderit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos