Qeveria sllovake po bllokon hetimet kundër Lajçakut

Nga A2 CNN
17 Mars 2026, 10:52 | Blog

Qeveria sllovake po bllokon hetimet kundër Lajçakut

Nga Enver Robelli

Komunikimet mes ish-diplomatit sllovak, Miroslav Lajčák, dhe të dënuarit për krime seksuale, Jeffrey Epstein, vazhdojnë të komentohen në Sllovaki edhe një muaj pasi Lajčák dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit Robert Fico. Lajčák po përpiqet të bindë opinionin publik se është viktimë e “hienave”, por për opozitën kjo dorëheqje nuk mjafton. Ajo kërkon hetime të plota për aferën, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.

Komunikimet e bëra publike zbulojnë se Epstein kishte një interes të veçantë për Sllovakinë, jo vetëm për ndikim politik, por edhe për rekrutimin e grave të reja sllovake. Sipas dokumenteve, në tetor të vitit 2018, Lajčák i ka shkruar Epsteinit: “Kujtoja Steve Bannon ftesën për në Sllovaki për t’u takuar me Ficon”. Bannon ishte një bashkëpunëtor i besuar dhe këshilltar ideologjik i Donald Trump.

Në këto komunikime, Epstein shprehte dëshirën për t’u njohur me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, me të cilin Lajčák kishte lidhje të ngushta që nga koha e studimeve në Moskë. Përgjigjja e Lajčákut ishte: “E adhuroj Lavrovin”.

Përveç politikës, emri i një tjetër sllovakeje shfaqet shpesh në dokumente: Nad’a Marcinková. Kjo ish-modele, e cila dikur zbukuronte kopertinat e revistave të modës, përfundoi si pilote e avionit privat të Epstein, i njohur si “Lolita Express”, i cili përdorej për transportimin e viktimave të abuzimit.

Ndërkohë, qeveria e Robert Ficos po përpiqet të pengojë sqarimet e mëtejshme, ndërsa opozita nuk pranon të heshtë. Beáta Jurík, deputete nga partia “Sllovakia Progresive”, ka kërkuar zyrtarisht që Prokurori i Përgjithshëm të nisë një hetim penal. “Ne duam hetime të vërteta”, deklaroi ajo, duke theksuar se rasti është tepër i rëndë për t’u mbyllur vetëm me një dorëheqje.

Pavarësisht skandalit, Lajčák nuk ka mbetur jashtë skenës. Ai vazhdon të mbajë pozicionin e tij në bordin mbikëqyrës të kompanisë së naftës “Slovnaft”, e cila është pjesë e grupit hungarez MOL.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos