
Nga Hisen Berisha
Armatosja e fundit e Serbisë me sisteme raketore balistike supersonike nga Kina nuk është një zhvillim i zakonshëm në balancat ushtarake të rajonit. Përkundrazi, ai përfaqëson një sinjal serioz për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe një tregues të qartë të ambicieve hegjemoniste që Beogradi vazhdon t’i mbajë gjallë në raport me fqinjët e tij.
Serbia tashmë prej vitesh po ndërton një model të ri të armatosjes së saj, duke u furnizuar paralelisht nga disa qendra të fuqisë globale. Nga njëra anë ajo është pajisur me sisteme raketore nga Rusia, nga ana tjetër ka integruar dronë kamikazë me origjinë iraniane, ndërsa tani po thellon bashkëpunimin ushtarak me Kinën përmes furnizimit me raketa balistike supersonike.
Ky model i armatosjes nuk është thjesht modernizim teknik i një ushtrie kombëtare. Ai përfaqëson krijimin e një platforme ushtarake që reflekton interesat gjeostrategjike të fuqive të mëdha që synojnë të rrisin ndikimin e tyre në Evropën Juglindore.
Rreziku nuk lidhet vetëm me furnizimin e Serbisë nga Rusia, Kina apo burime të tjera të jashtme. Serbia i ka ende aktive dhe funksionale kapacitetet teknike e industriale për prodhimin e armatimit të gjinive të ndryshme ushtarake, të municioneve, pajisjeve dhe mjeteve mbështetëse për nevojat e forcave të saj. Kjo do të thotë se ajo nuk është vetëm importuese e sistemeve të avancuara, por edhe shtet me infrastrukturë të aktive për fuqizim të brendshëm ushtarak, gjë që e bën edhe më serioz potencialin e saj për projeksion force në rajon.
Presidenti i Serbisë përpiqet ta relativizojë këtë zhvillim duke e arsyetuar me faktin se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova e kanë rritur bashkëpunimin e tyre në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në realitet, kjo është një përpjekje për të krijuar një justifikim politik për një proces të armatosjes që ka nisur shumë më herët dhe që është ndërtuar mbi një doktrinë të qartë të dominimit rajonal. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit nuk është një aleancë agresive dhe as një platformë për konfrontim ushtarak. Ai është kryesisht një mekanizëm zhvillimor dhe koordinues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Preteksti i Serbisë se gjoja rrezikohet dhe mund të sulmohet nga Kroacia nuk qëndron si vlerësim serioz i sigurisë, por më shumë ngjan me një farsë politike që synon të legjitimojë armatosjen e saj të përshpejtuar. Edhe më shqetësuese është se kjo retorikë mund të shërbejë si prelud i një planifikimi më të gjerë strategjik ndaj Bosnjës, duke prodhuar një klimë të kontrolluar tensioni, për të justifikuar më pas pozicionime agresive ose destabilizuese në terren. Në këtë kuptim, propaganda e viktimizimit nuk është mbrojtje, por instrument parapërgatitor i një agjende më të gjerë rajonale.
Problemi real qëndron diku tjetër. Në një botë ku rivalitetet gjeostrategjike po intensifikohen, krahas kontrollit mbi burimet strategjike si nafta, gazi dhe energjia, një dimension i ri i ndikimit global është edhe eksporti i armëve dhe militarizimi i rajoneve të ndjeshme përmes shteteve që shërbejnë si proksi të interesave të fuqive të mëdha ushtarake dhe ekonomike.
Në Lindjen e Mesme për dekada me radhë ky rol është luajtur nga Irani, i cili ka shërbyer si një instrument i projeksionit të interesave të fuqive rivale ndaj Perëndimit. Në Ballkanin Perëndimor një rol i ngjashëm po ndërtohet gradualisht përmes Serbisë, e cila po shndërrohet në një pikë gravitacioni të ndikimit rus dhe gjithnjë e më shumë edhe kinez.
Kjo nuk është vetëm një çështje e balancave të brendshme rajonale. Ajo ka implikime të drejtpërdrejta për arkitekturën e sigurisë euro-atlantike dhe për stabilitetin e Evropës Juglindore. Një shtet që vazhdon të mbajë në Kushtetutën e tij pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj, ndërkohë që ndërton kapacitete të avancuara raketore dhe ushtarake me mbështetje nga aktorë globalë rivale të Perëndimit, nuk mund të trajtohet si një aktor neutral në ekuilibrin e sigurisë rajonale.
Nga një perspektivë ushtarake dhe strategjike, kjo situatë e bën edhe më të rëndësishëm procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne mbrojtëse dhe rritjen e kapaciteteve të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit që janë të orientuara drejt strukturave euro-atlantike. Siguria në Ballkan nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e dominimit ushtarak të një shteti ndaj të tjerëve, por mbi një sistem të balancuar të deterrencës dhe bashkëpunimit.
Në këtë kontekst, Serbia duhet të trajtohet nga komuniteti ndërkombëtar me një qasje realiste strategjike. Ashtu si në rajone të tjera të botës, ambiciet hegjemoniste mund të frenohet vetëm përmes një mekanizmi të qartë deterrence, që e bën të qartë se destabilizimi i rajonit nuk është një opsion i pranueshëm.
Doktrina e sigurisë që përmbledh parimin “paqja përmes forcës” mbetet një nga instrumentet më efektive për ruajtjen e stabilitetit. Njëkohësisht, zhvillimi ekonomik dhe integrimi në strukturat euro-atlantike duhet të mbeten alternativa reale për vendet e rajonit, për të shmangur që Ballkani të kthehet në një hapësirë të rivalitetit të fuqive globale.
Në këtë kuptim, reagimi i vendeve të rajonit që gravitojnë rreth Serbisë nuk duhet të jetë i fragmentuar apo thjesht deklarativ. Ai duhet të artikulohet qartë në strukturat e sigurisë kolektive, para së gjithash në NATO dhe në raport me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar mund të ndërtohet një arkitekturë sigurie që e neutralizon logjikën e dominimit rajonal.
Në këtë kontekst, merr rëndësi të veçantë thellimi i partneritetit strategjik ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky partneritet mbetet garancia më e fortë për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për integrimin e saj në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë. Po aq e rëndësishme është edhe rivëndosja dialogut strategjik Kosovë-SHBA, si një mekanizëm i domosdoshëm për koordinimin e politikave të sigurisë, zhvillimit dhe stabilitetit rajonal. Në këtë drejtim është inkurajuese edhe përfshirja e Kosovës në ligjin amerikan që autorizon buxhetin për mbrojtjen dhe sigurinë, një sinjal i qartë i vëmendjes strategjike që Washingtoni i kushton rajonit dhe rolit të Kosovës në të. Për Kosovën kjo nënkupton një përgjegjësi të shtuar që të vazhdojë të ndërtojë institucione të besueshme të sigurisë dhe të dëshmojë se nuk është dhe nuk do të jetë kurrë burim pasigurie për aleatin e saj strategjik dhe për paqen dhe sigurinë globale.
Në këtë kuadër, duhet parë me seriozitet edhe bashkëpunimi i Gardës Kombëtare të Ohajos me Forcat e Armatosura të Serbisë, përfshirë marrëveshjet dhe programet që lidhen me zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Kjo shtron një pyetje të ligjshme strategjike, sa është logjike që një shtet që armatoset intensivisht nga qendra rivale të fuqisë dhe që ruan ambicie të dukshme hegjemoniste në rajon, të përfitojë njëkohësisht edhe nga forma të caktuara të mbështetjes apo partneritetit perëndimor?
Kjo mund të lexohet si taktikë angazhimi për ta mbajtur Serbinë të lidhur me Perëndimin, por po aq lehtë mund të prodhojë efekt të kundërt, duke i rritur kapacitetet një aktori që ende nuk ka hequr dorë nga doktrina e dominimit rajonal.
Ky bashkëpunim ndërmjet Gardës Kombëtare të Ohajos dhe Forcave të Armatosura të Serbisë nuk është i rastësishëm apo informal, por një partneritet zyrtar i institucionalizuar në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, i cili daton nga viti 2006. Sipas burimeve zyrtare amerikane dhe serbe, ai mbështetet edhe mbi një kornizë juridike të tipit SOFA dhe është zhvilluar përmes një bashkëpunimi shumëvjeçar në fusha si trajnimet, shkëmbimet profesionale, ushtrimet e përbashkëta, ngritja e kapaciteteve, ndërveprueshmëria, policia ushtarake, operacionet paqeruajtëse dhe fusha të tjera të bashkëpunimit mbrojtës. Vetë burimet zyrtare amerikane kanë theksuar se Ohio National Guard zhvillon mesatarisht mbi njëzet aktivitete shkëmbimi në vit me Serbinë, çka tregon se nuk bëhet fjalë për kontakte simbolike, por për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe me përmasa konkrete institucionale.
Pikërisht për shkak të kësaj historie dhe të këtyre zhvillimeve të reja, Ballkani ka përjetuar në të kaluarën pasojat e politikave hegjemoniste dhe të militarizimit të njëanshëm. Për këtë arsye, çdo përpjekje për të krijuar epërsi ushtarake që shkon përtej nevojave legjitime mbrojtëse duhet të trajtohet me seriozitet nga komuniteti ndërkombëtar.
Nëse Serbia synon të jetë një faktor stabiliteti në rajon, ajo duhet të dëshmojë këtë përmes politikave të bashkëpunimit dhe jo përmes akumulimit të kapaciteteve ofensive që ndryshojnë ekuilibrat e sigurisë. Në të kundërtën, rajoni dhe aleatët euro-atlantikë do të detyrohen të ndërtojnë mekanizma të rinj të deterrencës për të ruajtur stabilitetin strategjik.
Ballkani Perëndimor nuk duhet të kthehet në një hapësirë ku rivalitetet globale projektohen përmes armatosjes së një shteti kundrejt të tjerëve. Stabiliteti i tij kërkon ekuilibër strategjik, bashkëpunim rajonal dhe një rol aktiv të aleancës euro-atlantike në garantimin e sigurisë kolektive. (A2 Televizion)