
Nga Afrim Krasniqi
Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy (2007-2012), ish minister dhe ish kryetar i partisë kryesore politike goliste, u dënua me burg me akuzën për një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia.
Sipas DW, edhe pse gjykata nuk vendosi që Sarkozi i mori ose i përdori fondet për fushatën e tij, ajo e dënoi ish-presidentin për konspiracion kriminal në lidhje me skemën.
Akuza pra lidhej me aktivitetin e tij politik, me fushatën, me partinë e tij politike, me përgjegjësinë publike, jo me kontot e tij personale e familjare. Ai e konsideroi akuzën politike, por respektoi vendimin, shkoi në burg dhe këto ditë siguroi lirimin duke u vendosur nën mbikëqyrje gjyqësore.
Është Francë, një vend me demokraci funksionale e ndarje të pushteteve. Në gjyq apo në portën e burgut nuk pati mitingje ditore, fjalime dhe as protesta militantësh mbështetës nga mbi 18.9 milionë votues pro tij, qindra deputetët dhe zyrtarët partiakë nuk morën pankarta të dalin në rrugë dhe askush nuk ndërmori fushatë denigrimi personal e familjar ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.
Ai e ndoqi çështjen në rrugë gjyqësore, me studio private avokatie dhe forca e tij mbështetëse politike vijoi agjendën politike paralele, pa u përfshirë në proces. Ai beson se është i pafajshëm dhe ende po vijon betejën e tij ligjore.
Ne jemi në Shqipëri, një vend që me mirësjellje quhet “demokraci hibride”, ku individi udhëheqës i radhës është “shteti/ligji” pastaj vijnë ca emra të tjerë dhe ca institucione. Ligjin?! E lexojmë dhe intepretojmë vetë "më mirë" se gjykatat dhe organet ligjzbatuese! (A2 Televizion)
