
Sipas Bloomberg, Elon Musk është bërë njeriu më i pasur në botë, duke kaluar në këtë renditje themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, me 3 miliardë dollarë më shumë pasuri.
Ndryshimi ka ndodhur pasi aksionet e kompanisë së Musk, Tesla, u rritën me 5% të enjten, duke e çuar pasurinë e tij totalë në 190 miliardë dollarë. Ndërsa aksionet e Amazon u rritën me vetëm 2% duke bërë që pasuria e Bezos të arrijë në 187 miliardë dollarë.
Indeksi i më të pasurve të botës i Bloomberg e pasqyron këtë ndryshim vetëm në fund të ditës, por e konfirmoi ndryshimin në renditje.
Në vend të tretë është Bill Gates, me një pasuri prej 132 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg.
Ndërsa Forbes bën një tjetër përllogaritje dhe sipas saj, Musk nuk është ende njeriu më i pasur në botë, pasi Bezos renditet para tij me 18 miliardë më shumë. (A2 Televizion)