Bombardimi i maternitetit në Mariupol, vdes nëna dhe fëmija që u shfaqën në imazhet tronditëse pas sulmit

Nga A2 CNN
14 Mars 2022, 11:26 | Bota
Bombardimi i maternitetit në Mariupol, vdes nëna dhe fëmija

U bë një prej imazheve më tronditëse të luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë, ai i gruas shtatzënë që zhvendosej me barrelë nga materniteti i Mariupolit, i sulmuar nga bombat ruse.

Sot, këto pamje marrin dimensione edhe më tragjike, ndërsa mësohet se gruaja dhe fëmija i palindur kanë ndërruar jetë. Në fotot dhe videot e xhiruara të mërkurën e kaluar, e reja shihej me duart në barkun e mbuluar me gjak, pasi ishte sulmuar në vendin ku mendonte se do të sillte në jetë fëmijën e saj.

Ishte një prej momenteve më brutale të luftës disajavore. Ekipet e shpëtimit e transferuan shpejt në një tjetër spital, por të shtunën thuhet të jenë shuar të dy.

“Më vrisni tani”, mësohet t’u ketë thënë nëna mjekëve, pasi kishte kuptuar se po e humbiste beben e saj. Mjekët që u përpoqën t’i shpëtonin të dy, folën për përpjekjet e mundimshme për t’i mbajtur në jetë. Kirurgu Timur Marin tregon se gruaja kishte shkëputje të ijes dhe copëtim të legenit.

Mjekët e nxorën foshnjën me operacion cezarian, por fatkeqësisht pa shenja jete. Më pas, përpjekjet u fokusuan më kot te shpëtimi i nënës, e cila pas 30 minutash pati të njëjtin fat si fëmija.

Në kaosin e sulmeve ajrore të së mërkurës, mjekët thanë se nuk patën kohë të merrnin emrin e gruas, trupi i së cilës, siç thuhet, ishte tërhequr nga familjarët dhe nuk ishte varrosur në varr masiv.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos