
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson dha dorëheqjen befas si anëtar i Parlamentit të premten në një protestë të furishme kundër ligjvënësve që hetonin sjelljen e tij, duke rihapur ndarje të thella në Partinë Konservatore në pushtet përpara zgjedhjeve të përgjithshme që priten vitin e ardhshëm.
Johnson ishte nën hetim parlamentar nëse ai ka mashtruar Dhomën e Komunëve në lidhje me thyerjen e rregullave anti-Covid në festat e Downing Street gjatë pandemisë. Pasi Johnson mori një letër konfidenciale nga komiteti, ai akuzoi ligjvënësit që e hetonin atë se po vepronte si një “gjykatë kangur” dhe se ishte i vendosur t’i jepte fund karrierës së tij politike.
Duke akuzuar komitetin për se u angazhua për ta goditur politikisht, Johnson tha në një deklaratë se po largohej me pikëllim nga parlamenti, të paktën tani për tani. “Po më detyrojnë një grusht i vogël njerëzish, pa asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tyre, dhe pa miratimin e anëtarëve të partisë Konservatore, e lëre më të elektoratit të gjerë. Më vjen keq për zonën time të mrekullueshme për këtë vendim”, tha ish-kryeministri britanik.
Komiteti i privilegjeve të Parlamentit - organi kryesor disiplinor për ligjvënësit - kishte fuqinë të rekomandonte që Johnson të pezullohej nga Parlamenti. Nëse pezullimi është për më shumë se 10 ditë, votuesit në zonën e tij zgjedhore mund të kishin kërkuar që ai të rizgjidhej për të vazhduar si përfaqësuesi i tyre. Por Johnson la të kuptohej se mund të kthehej në politikë, duke deklaruar se po largohej nga parlamenti “për momentin”. (A2 Televizion)