
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson doli në një tjetër konferencë për shtyp për të raportuar rreth zhvillimeve të fundit në vend, për shkak të koronavirusit.
Sipas Johnson, qeveria duhet të sillet sikur të ishte në situatë lufte për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit me origjinë nga Kina dhe për të shpëtuar ekonominë.
“Është një virus aq i rrezikshëm dhe infektues sa pa marrë masa drastike për të parandaluar përhapjen e tij do të rrëzonte çdo sistem shëndetësor në vend. Duhet të sillemi si një qeveri në kohë lufte për të mbështetur ekonominë tonë”, u shpreh Johnson.
Një nga problemet që ka raportuar sistemi shëndetësor në Britani është dhe mungesa e ventilatorëve, për të cilat kryeministri deklaroi se në javët në vijim duhet të ndërtohen sa më shumë pajisje të tilla.
“Jemi duke punuar shumë në këto javë që të ndërtojmë sa më shumë ventilatorë të jetë e mundur. Industria britanike po na përgjigjet me një energji të pabesueshme në këtë sfidë”, shtoi Johnson. (A2 Televizion)