
Bujar Lybesha, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare, në studion e “A2 Business” në A2 CNN, shpjegoi arsyet pse shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë aty ku duhet.
“Ka disa arsye pse shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë në nivelin e duhur. E para, vullneti politik që duhet të përcillet deri në nivelin e partnerëve. Duhet të njehsohen një gamë mallrash që i shërbejnë të dy vendeve; e dyta, nuk është e mundur që Kosova të shkëputet nga tregjet e saj tradicionale menjëherë”, u shpreh Lybesha.
Sipas ekspertit, vetëm turizmi është aspekti ekonomik që ka lulëzuar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Luftën tregtare mes vendeve të rajonit, përfshi edhe Kosovën, Lybesha e sheh si diçka normale.
“Lufta tregtare ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë, jo vetëm në rajon. Kjo lidhet edhe me incidentet politike që ndodhin në momente të caktuara. Kjo ndihet edhe në ekonomi, prandaj herë pas here ka probleme të tilla në rajon. Edhe mes Shqipërisë e Kosovës ka dhe do të ketë luftë. Incidentet e ndryshme politike pasqyrohen në marrëdhënien ekonomike mes dy vendeve”, thekson Lybesha. (A2 Televizion)