Bota në një javë, nga alarmi prej variantit Omicron te Malta që legalizon kanabisin

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 10:32 | Bota
Bota në një javë, nga alarmi prej variantit Omicron te Malta

Omicron në Europë, vaksinat s’mjaftojnë për ta ndalur

Vetëm vaksinimi nuk do të mund të ndalë dot hovin e variantit të ri të koronavirusit, Omicron. Paralajmërimi vjen nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, e cila tha se ka nevojë urgjente për veprim.

Duke e cilësuar si shumë të lartë rrezikun nga efektet e Omicron në shëndetin publik, agjencia bën thirrje për fuqizimin dhe rikthimin e masave të tilla si mbajtja e maskave, distancimi social dhe parandalimi i grumbullimeve në hapësira publike.

OBSH jep alarmin se Omicron po përhapet në të gjithë globin

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi edhe njëherë se varianti i ri i koronavirusit Omicron po përhapet në të gjithë globin me një ritëm të paprecedentë.

Rastet e variantit me mutacione të shumta janë konfirmuar deri tani në 77 vende, por në një konferencë për shtyp, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ndoshta ai mund të jetë prezent në shumë vende të tjera që ende nuk e kanë zbuluar.

Italia miraton zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Qeveria italiane i ka dhënë dritën jeshile dekretit për zgjatjen deri në 31 mars 2022 të gjendjes së jashtëzakonshme për koronavirusin. Dekretligji përbëhet nga 11 nene dhe përfshin të gjitha masat që lidhen me emergjencën.

Drafti parashikon gjithashtu edhe kriteret për zonat e bardha, të verdha, portokalli dhe të kuqe. Qeveria nuk ka miratuar asnjë masë që përfshin detyrimin për përdorimin e maskave në ambiente të jashtme.

Britania e Madhe synon të bëjë 1.1 milionë vaksina çdo ditë, deri në fund të muajit

Kryeministri britanik Boris Johnson ka shpallur të hapur fushatën më të madhe të vaksinimit kundër Omicron, përmes dozës së tretë të vaksinës duke pasur si objektiv bërjen e 1 .1 milionë vaksinave, çdo ditë deri në fund të këtij muaji.

Deri më sot 40 për qind e popullsisë britanike nga 12 vjeç e sipër ka marrë dozën e tretë, e cila ofron mbrojte më të madhe se sa dy dozat e bëra deri më sot. Doza e tretë konsiderohet nga shkencëtarët si doza që ofron mbrojtjen më të madhe ndaj Omicron.

SHBA kalon 800 000 vdekje nga Covid – numri më i lartë në botë

Numri i vdekjeve nga Covid-19 në SHBA ka kaluar 800 000. Shifra tragjike përfaqëson numrin më të lartë të raportuar nga çdo vend në botë.
Numri i vdekjeve nga Covid në SHBA, i përpiluar nga Universiteti Johns Hopkins të martën, është afërsisht i barabartë me numrin e amerikanëve që ndërrojnë jetë çdo vit nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

Malta bëhet vendi i parë i BE-së që legalizon kanabisin për përdorim personal

Malta është bërë vendi i parë i Bashkimit Europian që legalizon kanabisin në shtëpi dhe për përdorim personal. Deputetët miratuan një reformë ligjore që i lejon qytetarët të rrisin dhe të zotërojnë sasi të kufizuara të kanabisit.

Sipas ligjit të ri, qytetarët e moshës 18 vjeç e lart do të lejohen të kenë deri në shtatë gramë kanabis dhe të kultivojnë deri në katër bimë kanabis në shtëpi.

Shumë shpejt, Bitcoin mund të jetë "i pavlerë"

Sipas The Guardian, Banka e Anglisë është shprehur se kriptomonedha e famshme mund të bëhet e pavlerë dhe se njerëzit që investojnë në kriptovaluta të tilla duhet të "jenë gati për të humbur gjithçka".

Në nëntor, çmimi i Bitcoin kishte arritur në 67 000 dollarë, por më vonë pësoi disa luhajtje derisa u stabilizua në nivelin aktual prej javës që shkoi.

“Vlera e tyre ndryshon mënyrë të konsiderueshme dhe [bitcoin] teorikisht mund të bjerë edhe në zero", u shpreh guvernatori i bankës për BBC.

Vizitë historike, kryeministri i parë izraelit në Emiratet e Bashkuara Arabe

Mund të konsiderohet një zhvillim historik. Për herë të parë, një kryeministër nga Izraeli viziton Emiratet e Bashkuara Arabe. Naftali Bennett u takua në Abu Dhabi me Princin e Kurorës, Sheikun Zajed al-Nahjan, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve, një vit më parë.

Ata biseduan për kërcënimin që vjen nga Irani, por edhe për çështje bilaterale. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndajnë shqetësim të njëjtë për aktivitetet bërthamore të Teheranit, ndërsa fuqitë e mëdha po tentojnë të rinegociojnë marrëveshjen bërthamore.

Revista “Time” zgjedh “Njeriun e vitit”

Revista “Time” ka shpallur drejtorin ekzekutiv të Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, si “Njeriun e vitit”.
Viti 2021 ka qenë një vit i mbarë për Musk, pasi në këtë vit u bë njeriu më i pasur në botë. Ndërkohë, me SpaceX lëshoi në orbitë edhe raketën e parë me një ekuipazh të përbërë vetëm nga turistë, pa asnjë astronaut profesionist në bord.

Çmimet “Golden Globes”, shpallen kandidaturat, por polemikat eklipsojnë ngjarjen

Filmat dramatikë “The Power of the Dog” dhe “Belfast” kryesojnë kandidaturat për çmimet Golden Globes, në një vit të eklipsuar nga polemikat dhe mes pikëpyetjeve për mbajtjen e ceremonisë së ndarjes së statuetave.

Fituesit e Globeve të Arta do të shpallen më 9 janar, por formati i ceremonisë mbetet i paqartë, pasi kanali NBC hoqi dorë nga planet për transmetimin e eventit në Beverly Hills pas polemikave lidhur me grupin që ndan çmimet.

Kritikët e vënë theksin te mungesa e anëtarëve me ngjyrë në radhët e grupit dhe ngrenë pikëpyetje etike lidhur me faktin nëse marrëdhëniet e ngushta me kompani të caktuara prodhuese influencojnë zgjedhjen e të nominuarve dhe fituesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos