Botërori dhe përgatitjet e dimrit, Kategoria Superiore me dy pauza

Nga A2 CNN
5 Korrik 2022, 16:48 | Futboll
Botërori dhe përgatitjet e dimrit, Kategoria Superiore me dy pauza


Kalendar si asnjë ligë tjetër në Europë. Dy pauza dimërore, në harkun e pak javëve, një ndeshje e kampionatit, por edhe finalja e Superkupës së Shqipërisë, që do të luhen në periudhën e Botërorit 2022 në Katar.

Federata e Futbollit zbuloi risitë e kalendarit të edicionit 2022-2023 në Kategorinë Superiore, që do të nisë më 20 gusht. Një sezoni ndikuar nga Kupa e Botës që për herë të parë në histori do të luhet në dimër.

Kampionati do ndërpritet më 14 nëntor dhe do të qëndrojë pushim për plotë 32 ditë. Befasia është zgjedhja për të kthyer skuadrat në fushë më 15 dhjetor, edhe pse Botërori nuk do të ketë përfunduar, sepse finalja për trofeun luhet në datën 18 dhjetor.

Superiorja do të ndalet sërish më 28 dhjetor, këtë herë për pushimet dimërore, që do të zgjasin deri më 14 janar. Diçka që ndodh vetëm në Shqipëri, sepse ligat e tjera rinisin menjëherë pas Kupës së Botës.

E vetmja që bën përjashtim është Bundesliga, e cila ndalet më 13 nëntor dhe rifillon më 20 janar. Pauza e gjatë, prej 67 ditësh, lidhet edhe me kushtet atmosferike dhe ngricat në disa zona të Gjermanisë.

Por, kjo nuk është çudia e vetme e kalendarit në futbollin shqiptar. E papritur ishte edhe zgjedhja që për herë të parë, finalja e Superkupës të mos luhej në fillim të sezonit. Për arsye komerciale dhe sponsorësh, në Itali e në Spanjë, trofeu që vendos përballë ekipin kampion me fituesin e Kupës, luhet në janar dhe në vendet arabe.

Në Shqipëri, Superkupa do të luhet në 7 dhjetor, periudhë gjatë së cilës Kupa e Botës do të jetë duke u zhvilluar. Tirana kampione dhe Vllaznia fituese e Kupës, do të zbresin në fushë, menjëherë sapo të nisë pauza përpara çerekfinaleve në Katar 2022.

Sipas datave të miratuara nga Komiteti Ekzekutiv, Kategoria Superiore përfundon më 24 maj 2023, ndërsa finalja e Kupës do të luhet më 28 maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos