
Pas tri mandatesh si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, shkodrani Agron Çela thotë se më në fund ka gjetur lumturinë, duke kaluar me Partinë Socialiste.
Për të shprehur këtë lumturi të re, duket se nuk i mjafton as gjuha shqipe, teksa u tregon për herë të parë mediave, pse e mori vendimin për të braktisur partinë e Ilir Metës që e kishte bërë deputet.
“Besoj se e kam gjetur rrugën e duhur për qytetin dhe qarkun tonë. I uroj suksese pa diskutim Partisë së Lirisë, por këtu jam më ”happy” dhe besoj që do të bëj punë më të mira për Shkodrën”, deklaroi Çela.
Kolegun e tij socialist, Benet Becin, e sheh si kandidaturën më të mirë të mundshme për mazhorancën në Bashkinë e Shkodrës.
“Shumë i fortë, fitues dhe me eksperiencë të madhe”, ishte cilësimi i tij për kandidatin e mundshëm të partisë së tij të re.
Kryeqendra e veriut është e vetmja bashki që PS-ja nuk ka arritur të vendosë një përfaqësues të saj në karrigen e kryetarit, madje as në zgjedhjet e 2019, proces në të cilin garoi e vetme. (A2 Televizion)