Brenda 24 orëve, policia ndëshkon 8 drejtues mjetesh dhe 157 këmbësorë

Nga A2 CNN
30 Mars 2020, 11:52 | Aktualitet
Brenda 24 orëve, policia ndëshkon 8 drejtues mjetesh dhe 157

Pjesa më e madhe e popullsisë është ndërgjegjësuar tashmë për qëndrimin në shtëpi, si pjesë e masave të marra nga qeveria ndaj pandemisë së koronavirusit, por sërish ka ende të pabindur.

Policia bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë evidentuar 8 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 "Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19".

Në të gjithë vendin, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 157 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Është ndëshkuar me masë administrative 500 000 lekë, 1 shtetas, pasi është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore, për të parë familjarin e tij.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 7 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Nga sot e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos