







Në një nga banesat që u përmbyt nga prurjet e lumit Drin në zonën e Bërdicës në Shkodër, niveli i ujit brenda ambienteve arriti deri në 30 cm. I zoti I banesës na tregon se ardhja e ujit ishte e papritur gjatë ditës dhe i gjeti të papërgatitur për të shpëtuar ndonjë nga orenditë e shtëpisë.
“Po ta dinim, njeriu mundohet të shpëtojë shtëpinë. Janë mobiljet, divanet...”, thotë Lazër Gjergji, banor I Bërdicës.
I zoti I banesës na tregon se dëmet janë të mëdha, por ajo që është më e rëndë për këtë familje është fakti që kjo është hera e dytë që uji i përmbyt banesën. “Kjo ka shkaktuar dëme kolosale. Të gjitha këto mobilje i kam bërë për së dyti”, tregon ai.
Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në një market të zonës, ku me dhjetëra produkte ushqimore janë dëmtuar nga vërshimi i ujërave.
Si këto familje në Bërdicë ka shumë të tjerë. Banorët e zonës shprehen se përveç shkarkimeve nga hidrocentralet, përmbytjet ndodhin edhe për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë në rrugën kryesore Shkodër-Lezhë, tek Harku i Bërdicës duke bërë që uji të mos ketë nga të kullojë dhe të përmbysë banesat. (A2 Televizion)