Brenda primareve të PD, kush janë kandidatët që do të kërkojnë të sfidojnë Erion Veliajn për Tiranën?

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2022, 13:07 | Politikë
Brenda primareve të PD, kush janë kandidatët që do të

Partia Demokratike do të zgjedhë përmes primareve kandidatët që do të paraqesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Sigurisht vëmendja më e madhe shkon për bashkinë e kryeqytetit, si më të rëndësishmen për palët. Socialistët do të paraqiten në garë me kryebashkiakun në detyrë, Erion Veliaj, i cili kërkon një mandat të tretë. Ndërsa në PD, të paktën deri tani, janë 3 kandidatë që do të garojnë fillimisht me njëri-tjetrin para se të përballen me votën qytetare.

Por kush janë 3 kandidatët që kanë shpallur deri tani kandidaturën e tyre për bashkinë e Tiranës?

Belind Këlliçi: Ka lindur më 25  janar 1987 në Tiranë në rrugën “Myslym Shyri”. Belind Këlliçi ka kryer studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Coppin State University, ku është diplomuar për Shkenca Menaxhimi. Këlliçi është futur në Partinë Demokratike në fillimisht si anëtar i thjeshtë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe më pas në Partinë Demokratike.

Në vitin 2015, ai garoi për të marrë drejtimin e Forumit rinor të PD-së dhe u votua më shumë se 10 000 anëtarë duke u bërë kreu i FRPD. Po në këtë vit, Këlliçi u bë anëtar i kryesisë së PD-së. Në shkurt të vitit 2021, kryetari Partisë Demokratike, asokohe Lulzim Basha, i dha detyrën e drejtuesit politik të fushatës në Qarkun e Tiranës dhe një muaj më pas, Belind Këlliçi u emërua nga Partia Demokratike si kandidat për deputet të qarkut Tiranë.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë, ku theu herësin dhe grumbulloi 11 851 vota preferenciale.

Pas ndryshimeve të PD-së, më 30 gusht 2021, Belind Këlliçi u zgjodh Sekretari i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës. Pas përçarjes në PD, Këlliçi u bashkua me grupimin “Berisha” dhe ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Për zgjedhjet vendore të vitit 2023, Këlliçi ishte kandidati i parë që bëri prezantimin për t’u bërë pjesë e primareve të Partisë Demokratike për të garuar për drejtimin e Bashkisë Tiranë.

https://a2news.com/2022/10/27/kellici-kandidati-i-pare-i-pd-per-bashkine-e-tiranes-veliaj-model-antivlere-ta-largojme-sa-me-pare/

Gert Bogdani: Ka lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë. Studimet i përfundoi në Universitetin Politeknik të Nju-Jorkut për shkenca kompjuterike. Karrierën politike e fillon në vitin 2007 ku kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjatë kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD-së.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani kandidon në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 deri në vitin 2013, ai mbajti postin e Kryetarit të  Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Me pas Bogdani u zgjodh edhe si anëtar kryesie kur PD-ja drejtohej nga Lulzim Basha.

Pas përçarjes së PD-së, Bogdani nuk doli publikisht që të mbante një qëndrim se cilit grupim i përkiste, deri para disa javësh ku u shfaq në një takim me kreun e PD-së, Sali Berisha. Bogdani është kandidati i dytë pas Këlliçit që garon në primaret e PD-së.

https://a2news.com/2022/10/30/bogdani-shpall-kandidaturen-ne-primaret-e-pd-per-kryebashkiak-tirana-ka-nevoje-per-ndryshim-koha-eshte-tani/

Ilir Alimehemeti: Është kandidati i tretë dhe më i fundit që shpalli kandidimin e tij për primaret. Ai nuk ka një karrierë të mëparshme në Partinë Demokratike personalisht, por familja e tij po. Prindërit e tij kanë shërbyer si deputetë dhe këshilltarë bashkiakë në Tiranë. Ilir Alimehmeti është 43 vjeç, ai është me profesion mjek dhe është pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Alimehmeti mori vëmendje të madhe mediatike në 2 vitet e gjatë të pandemisë së koronavirusit, si epidemiolog.

Në përplasjen brenda Partisë Demokratike, ai zgjodhi të mbështesë Sali Berishën. Alimehmeti u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, më 30 prill 2022. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/02/jam-mjeku-qe-do-te-sheroj-tiranen-ilir-alimehmeti-futet-zyrtarisht-ne-primaret-e-pd-per-bashkine-e-kryeqytetit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos