
Dhoma e komunëve aprovoi një amendament lidhur me Brexit, i cili i hap rrugën votimit të planeve alternative ndaj marrëveshjes se kryeministres Theresa May. Ligjvënësit marrin në këtë mënyrë kontrollin e procesit. Amendamenti i propozuar nga konservatorët disidentë siguroi 329 vota pro dhe 302 kundër.
Shefja e ekzekutivit paralajmëroi se mund të mos i bindet vullnetit të deputetëve. Sipas saj, përvetësimi i agjendës se qeverisë nga ana e ligjvënësve do të vendoste një precedent të rrezikshëm. “Votimet mund të çojnë drejt një rezultati të panegociueshëm me Bashkimin Europian”, tha May.
30 konservatorë votuan kundër qeverisë, përfshirë tre ministra. Ata argumentuan se nuk kishin më besim tek qeveria. Lideri i laburistëve Jeremy Corbyn shprehu besimin se dhoma e komunëve do të arrinte të zgjidhte ngërçin. “Qeveria u përpoq për dy vjet të gjente një zgjidhje dhe dështoi. Ka ardhur koha që ne t’i japim fund këtij kaosi. Është momenti që parlamenti të punojë i bashkuar për t’u dakordësuar mbi një plan B”, tha Corbyn.
Ndërkaq, eksponentë të rëndësishëm të partisë Konservatore, Richard Herrington, Alistair Bart dhe Steve Bryne dhanë dorëheqjen e ju bashkuan rebelëve, duke akuzuar qeverinë së po luan me jetët e britanikëve. Të mërkurën deputetët do të votojnë mbi një numër opsionesh, ku me shumë gjasë do të përfshihet edhe i ashtuquajturi “Brexit i butë”, një union doganor me BE dhe një tjetër referendum.
Megjithatë formati i saktë i votimeve dhe se si do të funksionojnë ato nuk përcaktohet në amendament. Parlamenti pritet të miratojë këtë javë, një ligj që shtyn datën e Brexit nga 29 mars deri në të paktën 12 prill. (A2 Televizion)