Britanikët më të lirë, rinisin fluturimet ndërkombëtare, lejohet grumbullimi brenda

Nga A2 CNN
17 Maj 2021, 11:29 | Bota
Britanikët më të lirë, rinisin fluturimet

Britania e Madhe bën një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në normalitet, ndërsa masat anti-covid u lehtësuan në Angli, Uells dhe shumicën e Skocisë. Qytetarët mund të grumbullohen në ambientet e mbyllura në numër të kufizuar, të përqafohen, të vizitojnë klube dhe restorante, jashtë dhe brenda. Këtë të hënë rinisën gjithashtu fluturimet ndërkombëtare.

“Muajt e fundit kanë qenë vetëm punë, aspak argëtim. Kështu nuk humbim kohë për të shfrytëzuar mundësinë për të lëvizur. Jam i lumtur që Portugalia është në listën e gjelbër”, shprehet një qytetar.

Një sistem semafor është prezantuar për ndarjen e shteteve në kategori bazuar në numrin e rasteve me koronavirus dhe fushatën e vaksinimit atje. Vizitorët që kthehen nga vendet në listën e gjelbër, të tilla si Portugalia, Izraeli dhe Australia nuk do të karantinohen. Qeveria nuk rekomandon udhëtimet në vendet që përfshihen në listën e kuqe; ndërsa Shqipëria listohet mes vendeve portokalli.

“Po shkoj në Ibiza. Gruaja ime gjendet atje, pasi po aplikon për leje qëndrimi. Ishim të dy verën e kaluar atje, por mua m'u desh të kthehesha pasi punoj në sektorin shëndetësor. Nuk jemi parë për 7 muaj”, shprehet dikush tjetër.

Kryeministri Boris Johnson këshilloi qytetarët të tregojnë kujdes, ndërsa paralajmëroi se përhapja e variantit të zbuluar në Indi mund të vonojë rihapjen e madhe të parashikuar më 21 qershor.

“Ne besojmë se ky variant është më i transmetueshëm se të tjerët. Kjo mund të na çojë drejt zgjedhjeve të vështira. Lajmi i mirë është se deri më tani nuk ka prova që të sugjerojnë mbrojtje të reduktuar të vaksinave kundër formës së rëndë dhe hospitalizimit.”

1926 raste me koronavirus u shënuan në 24 orët e fundit, ndërsa viktimat ishin 4. 36.5 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës në Britaninë e Madhe, ndërsa ata me dy doza janë 20.1 milionë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos