
Më në fund, Parlamenti britanik ra në një mendje sa i përket Brexit. Por qytetarët mbeten të ndarë lidhur me çështjen.
Duke sfiduar temperaturat e ulëta, qindra qytetarë u mblodhën jashtë pallatit të Wesminter. “Brexit tani”, bërtiste një pjesë e turmës, ndërsa thirrja tjetër ishte “Jo Brexit”. “Ne nuk duam shtyrjen e Brexit. Zhvilluam një votim demokratik dhe do të shkëputemi në 29 mars. Nuk ka më arsye për të qëndruar në tregun e përbashkët”, shprehet një qytetar.
Por për mbështetësit e qëndrimit në BE, votimi i së martës ishte vetëm një pjesë e historisë pa fund të Brexit.
“Prapë nuk është një vendim, pasi fjalën e fundit e ka Bashkimi Europian. Ky nuk është fundi i historisë”, thotë një tjetër qytetar. Edhe kryeministri irlandez, Leo Varadkar, tha në një deklaratë së Dublini është kundër rinegociimit të marrëveshjes së Brexit. (A2 Televizion)