
Bashkimi Europian ka mbledhur në Bruksel liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë informale pune. Aty do të diskutohen një sërë çështjesh, me një fokus të veçantë tek zhvillimet e fundit në rajon dhe kuptimi i shqetësimeve të këtyre shteteve. Gjithashtu është një mundësi që BE të afrohet më shumë me rajonin.
Eventi është organizuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrel, dhe pritet që të marrë pjesë edhe eurokomisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi. Shqipëria do të përfaqësohet në këtë darkë pune nga kryeministri, Edi Rama, gjithashtu në nivel kryeministrash përfaqësohen edhe Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut. Ndërsa për Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën pjesëmarrës do të jenë presidentët.
“Ne do të duhet shohim një panoramë më të gjerë për të gjithë rajonin, jo vetëm në aspektin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por për një qasje gjeopolitike të të gjithë rajonit. Ne bëmë diçka të tillë javën e kaluar në Këshillin për Punët e Jashtme, por ajo ishte diçka formale. Aty u dakordësuam se Ballkani Perëndimor është një ndër prioritetet më të larta të Bashkimit Europian. Ne ramë dakord që të rrisnim përkushtimin tonë në rajon. Kjo është diçka, që për këdo që kupton dinamikën në rajon, duhet të bëhet e dukshme. Dhe sot në këtë darkë me 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta bëjmë të dukshme”, deklaroi Borrell para se të zhvillohej darka e punës. (A2 Televizion)