
Më pak se 24 orë nga mbyllja e aventurës në Korçë, futbollisti Bruno Dita ka bërë zyrtare kalimin te klubi i tij i ri.
Ish-mesfushori i Skënderbeut është futbollisti më i ri Shkëndijës së Tetovës. Është klubi shqiptar në Maqedoninë e Veriut që ka publikuar pamjet e prezantimit të 27-vjeçarit dhe detajet e transferimit.
Bruno Dita ka firmosur për dy vite me klubin tetovar, ndërkohë që kjo do të jetë hera e parë që futbollisti do të luajë jashtë Shqipërisë. Dita më herët ka qenë pjesë e Dinamos, Besës së Kavajës, Teutës, dhe së fundi Skënderbeut.
Me korçarët, 27-vjeçari fitoi gjithçka në sezonin 2017-2018, ndërsa ishte pjesë e skuadrës edhe në grupet e Europa League. Shkëndija e sheh mesfushorin me tipare difensive si një përforcim me vlera për pjesën e mbetur të sezonit. Kampionati maqedonas është ndërprerë që muajin mars, si në të gjithë vendet e tjera, dhe pritet të rinisë në datën 9 gusht.
Shëndija aktualisht renditet në vendin e tretë, 11 pikë larg nga vendi i parë që mbahet nga skuadra e Vardarit. (A2 Televizion)