“Mjeshtri i Madh” i këngës qytetare, Bujar Qamili ua ka bërë më të lehtë izolimin në shtëpi disa prej bashkëqytetarëve të tij në Shkodër.
Pasditen e së shtunës, Bujar Qamili ka mbajtur koncertin e tij më të veçantë në karrierë. Ai ka kënduar në lagjen “Parrucë” të qytetit të tij për banorët që qëndrojnë të izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Ishte një kënaqësi. Një nga koncertet më të bukura të jetës sime, i cili do të mbetet në historikun e recitaleve që unë kam bërë. Në shesh nuk kishte njeri, por ballkonet dhe dritaret ishin plot. Kjo tregoi qytetarinë shkodrane. Ne dimë të zbatojmë rregullat. I them vetes: ‘Bravo të qoftë, të lumtë goja’!. Unë u kënaqa, por më shumë u kënaqën këta njerëz”, u shpreh Bujar Qamili.
Të gjithë në dritare, madje edhe në tarracat e pallateve kanë ndjekur koncertin e mjeshtrit të madh këtë të shtunë. (A2 Televizion)