
Bujqësia konsiderohet një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Ndikimi i saj në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar vlerësohet deri në 25%, ndërsa në fshat jeton ende mbi 45% e popullsisë shqiptare.
Por pavarësisht këtij roli të konsiderueshëm dhe deklaratave për prioritet nga qeveria, kjo degë e ekonomisë nuk ka marrë kurrë mbështetjen buxhetore që duhet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për bujqësinë në vite janë dhënë nga 3 deri në 3.5% e buxhetit vjetor.
Bujqësia, pak vëmendje nga shteti dhe bankat
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria jep shumë para për bujqësinë nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, në vitet 2015 dhe 2016 janë disbursuar subvencione për fermerët dhe bizneset në këtë sektor në shumën e 1.4 miliardë lekëve çdo vit.
Në 2017-ën, subvencionet ranë ndjeshëm në 120 milionë lekë, teksa u rritën në 2018-ën me 1.6 miliardë lekë të disbursuara. Këto para janë shumë të rëndësishme për bujqësinë, në kushtet kur mbeten mbështetja kryesore.
Fermerët e kanë shumë të vështirë të marrin kredi në bankë për zgjerimin e aktivitetit të tyre, pasi bujqësia konsiderohet sektor me shumë risk dhe përfiton vetëm 2% të totalit të huasë bankare.
Fondet e BE për bujqësinë, edhe 2 javë kohë për fermerët
Fermerët shqiptarë kanë më pak se dy javë kohë për të përfituar nga financimet e Bashkimit Evropian për bujqësinë.
Në lojë janë 94 milionë euro, që mund të përfitohen nëpërmjet projekteve që fermerët apo bizneset duhet të paraqesin. Afati i aplikimit ka qenë 30 nëntor 2018 deri më 30 janar 2019.
Programi IPARD mbështet projektet në tre drejtime kryesore: investimet në fermë, ku mund të përfitohen shuma deri në 500 mijë euro; investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve me shuma nga 25 mijë euro deri në 2 milionë euro dhe investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat, me fonde nga 10 mijë deri në 400 mijë euro.
Eksperienca e deritanishme ka treguar se Shqipëria ka përfituar shumë pak nga fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, pasi mungon përvoja në hartimin e projekteve, sipas kritereve që kërkohen. Agresive në përthithjen e këtyre fondeve është Maqedonia, që ka arritur ta bëjnë konkurruese bujqësinë e saj pikërisht nëpërmjet këtyre financimeve, por edhe një mbështetje më të madhe nga buxheti kombëtar për këtë sektor, që arrin në rreth 100 milionë euro në vit (A2 Televizion)