5 muaj pas 11 majit, PD ndan mendjen: Zgjedhjet nuk njihet, mandatet pranohen

Nga Anesti Barjamemaj
10 Shtator 2025, 19:37 | Politikë

Demokratëve ju deshën 5 muaj për të qartësuar qëndrimin politik pas zgjedhjeve të 11 Majit. Dy ditë para nisjes së legjislaturës së re Parlamentare, Sali Berisha thirri mbledhjen e Kryesisë ku prezantoi piketat e aksionit të vjeshtës.

“Unë ftoj kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e këtyre zgjedhjeve do e bënte PD-në bashkëautore në një farsë, më e shëmtuara në 32 vite”, tha Berisha.

Mosnjohja e zgjedhjeve nuk përkthehet edhe mosrpanim të mandateve, ndaj Berisha kërkoi deputetëve që të jenë në Kuvend në 12 Shtator, duke u dhënë një përgjigje edhe demokratëve që kërkojnë akte të forta nga të zgjedhurit e tyre.

 “Unë di se ka një debat të marrim pjesë apo jo në parlament. Ua them ju personalisht, unë mendoj se në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj”, tha kreu i PD.

Mbledhja e Kryesisë ishte edhe një hapësirë për reflektim, shkruan A2 CNN.

 “Secili mund të shohë veten dhe të thotë se unë kam bërë sa kam mundur. Jo, as unë nuk kam bërë sa kam mundur, asnjëri nuk kemi bërë sa mundemi”, u shpreh Berisha.

Mesazhet e Berishës u pasuan me një mbledhje me dyer të mbyllura, ku vendimmarrja nuk ishte surprizë. Ishte po vetë lideri demokrat që tregoi se sugjerimet e tij ishin pranuar nga anëtarët e Kryesisë.

 “Vendimi është që PD nuk njeh farsën elektorale të 11 Majit dhe e vendosur të shfrytëzojë çdo hapësirë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë, duke u përmbajtur parimit se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka”, tha Berisha.

Lideri i Partisë Demokratike pohoi se shumë shpejt do të nisin një analizë të brendshme, ndërsa kur u pyet për Nenin Basha e anashkaloi duke pohuar se është gati të votëbesohet nga demokratët njësoj si pas zgjedhjeve të 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos