Bulevardi Vlorë- Skelë, i është nënshtruar 4 herë rikonstruksionit në harkun kohor të 8 viteve të fundit. Thënë ndryshe në 8 vite, në këtë bulevard janë hedhur miliarda lekë, në investime që nuk kanë rezistuar as dy vjet, pasi janë prishur dhe zëvendësuar me investime të tjera.
Saga e këtyre investimeve ka nisur që në vitin 2011 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë për të vijuar më pas me investime të tjera, që nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm sa kanë rënduar në xhepat e taksapaguesve vlonjatë.
Dhe sot vlonjatët vazhdojnë të paguajnë kredinë prej 430 milionë lekësh të marrë për rikonstruksionin që u krye në vitin 2011.

Këtë fakt e pranon edhe kryetari i dhomës se tregtisë në Vlorë, sipas të cilit kjo është pasojë e investimeve të pamenduara mirë dhe afatshkurtra.
“Është e vërtetë që në harkun kohor 8 vjeçar janë ribërë. Por duhet projekte te qëndrueshme qe te zgjasin të paktën 20 vjet, sepse transparenca nuk ka qene me 100%”’ thotë Arben Breshani, kryetar i dhomës së tregtisë Vlorë.
Nisur nga kjo eksperiencë abuzive me taksat e qytetarëve, kryetari i dhomës e tregtisë apelon që përpara zbatimit të projekteve dhe prishjes së objekteve, qytetarët dhe biznesi duhet të njihen me projektin.
“Është shumë e rëndësishme që qytetari të njihet paraprakisht me projektin, transparenca është edhe në fokus të gjithë organizatave ndërkombëtare”, shton Breshani.
Rruga Transballkanike është një prej projekteve ku u shembën objekte dhe u shpronësuan qytetarë për të ndërtuar brezin e gjelbër përgjatë këtij aksi, gjelbërim i cili edhe pas tre vitesh të ndërtimit të rrugës ende nuk ekziston. (A2 Televizion)