
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po zvarriten në procesin e integrimit edhe pas PO-së së zgjerimit nga viti i kaluar. Bullgaria ka vënë veton për Maqedoninë e Veriut, çka ndikon edhe për vendin tonë, pasi dy vendet nuk mund të vijojnë të ndara në këtë proces.
Nga Maqedonia e Veriut gazetari Xhelal Neziri komentoi në “Absolut 4” takimin e sotëm mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe homologut bullgar Boyko Borisov. Sipas tij nga ky takim pritej që të arrihej një marrëveshje për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit, në bazë edhe të propozimit bullgar, sipas të cilit procesi i integrimit të ecte paralelisht me problemin e gjuhës.
“Kjo ishte një vizitë që pritej me shpresë në Maqedoninë e Veriut. Kishte një dozë optimizmi që nuk do të arrihej të zgjidhej problemi i gjuhës, por do të arrihej një marrëveshje që do të zhbllokonte procesin e negociatave të BE. Ky bazohej në propozimin portugez. Problemi i gjuhës të mbarte te procesi i stabilizim-asocimit dhe të mos pengohej ecja përpara e Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë në BE. Procesi i integrimit dhe zgjidhjes së gjuhës të shkonte paralelisht”.
Por sipas Nezirit kjo gjë hasi në kundërshtinë e bullgarëve, pasi ata kanë vërejtje edhe për implementimin e traktatit të miqësisë mes dy vendeve. Neziri thekson se ka një ngërç në zbatimin e traktatit nga anëtarët e komisionit të dy vendeve.
“Por kjo nuk u pëlqeu bullgarëve dhe kanë vërejtje për implementimin e një traktati të miqësisë. Ky traktat rezultoi se nuk është zgjidhur. Problemi u paraqit kur komisioni i përbërë nga ekspertë e historianë, nuk pranoi shumë propozime bullgare që kishin të bënin me interpretimin e historisë dhe gjuhën maqedonase. Ka një ngërç në zbatimin e atij traktati nga anëtarët e dy komisioneve”.
Për Nezirin, deklarata e Zaev se ka pranuar që në prag të negociatave të hapë kushtetutën që dhe të numërohen si popull edhe bullgarët, është një çështje që prek identitetin etnik dhe shumë më e ndjeshme se çështja e emrit me Greqinë.
“Ndaj sot në Bullgari presidenti bullgar në takimin me Zaev propozi që kjo çështje të mos lihet në dorë të historianëve, por të kalojë në nivel politik, të hartohet udhërrëfyes për hapat e ardhshëm dhe të kishte një dinamikë më të përshpejtuar të atij traktati. Zaev ka pranuar që para integrimit në prag të negociatave që vendi të hapë kushtetutën dhe të numërohen si popull edhe bullgarët . Është e vështirë që të binden maqedonasit etnikë për një marrëveshje që prek identitetin etnik. Është çështje më e ndjeshme se çështja e emrit me Greqinë dhe çdo marrëveshje e tentativë për marrëveshje has në kritika të ashpra nga VMRO DPMNE që tani akuzon kryeministrin për tradhti kombëtare”. (A2 Televizion)