
Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputet i zgjedhur në 25 Prill, ishte i ftuar në studion e “Absolut 4”, në A2, ku komentoi analizën që e pret PD-në në ditët në vazhdim.
“Nuk mund të themi që në këtë fushatë, kemi bërë gjithçka perfekte. Edhe unë vetë nuk kam qenë 100% perfekt dhe analiza duhet bërë e vërtetë, për të nxjerrë mësime nga gabimet tona dhe për të shkuar në Kuvendin Kombëtar me një raport të detajuar nga të gjithë demokratët. Pa harruar faktimin e masakrës elektorale”, tha Këlliçi.
Në lidhje me këtë të fundit, Këlliçi theksoi: “Ka qenë me të vërtetë një masakër elektorale, pasi e kam këtë informacion nga njerëzit që ishin në terren. Tani është momenti t’i faktojmë. Unë kam denoncuar vetë masakrën elektorale në Qarkun e Durrësit, kam përmenduar 72 emra, kam përmenduar kallëzimet që kemi bërë në SPAK dhe ende nuk kemi informacion pas dy muajsh se çfarë po ndodh me këto kallëzime. Sot që flasim, unë jam i kallëzuar për shpifje. Detyrën ne e kemi kryer, i kemi referuar gjërat në organet ligjzbatuese. Betejës ligjore do t’i shkojmë deri në fund. Më pas, do të dalë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, që më pas të vendosim aksionin tonë politik për muajt dhe vitet në vijim. Pra, do të vendoset agjenda që do të ndjekim”.
Kur u pyet se çfarë roli do të luajnë tashmë në Partinë Demokratike zonja Edith Harxhi, zoti Bujar Nishani (kreu i Këshillit Kombëtar në PD) dhe zoti Fatbardh Kadilli, Këlliçi u përgjigj: “Të gjithë kanë rolin dhe profilin e tyre. Zoti Kadilli ka 30 vite në PD, është një njeri me profil politik në PD. Ai ka folur për garë të pabarabartë, por ka thënë që pranon rezultatin dhe do të qëndrojë në parti. Për mua, është vendimi i duhur dhe aset që nuk duhet humbur. E njëjta gjë vlen për zonjën Harxhi dhe zotin Shehaj. Janë asete që plotësojnë njëri-tjetrin dhe plotësojnë grupin në PD”. (A2 Televizion)